Meta dekreton 4 ligje, mes tyre faljen e gjobave gjatë pandemisë

0.4lirmeta3

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme ligjin për faljen gjobave të vendosura deri në 17 prill në shkelje të aktit normativ të COVID-19. Që do të thotë të gjitha gjobat e vendosura deri në këtë datë për shkelje të rregullave të vendosura për shkak të situatës së pandemisë së COVID-19, janë falur dhe ato që kanë shlyer detyrimet do t'u kthehen pas. Ndërkohë, Meta ka dekretuar dhe 3 ligje të tjera.

"Presidenti i Republikës,  Ilir Meta ka dekretuar shpalljen e 4 ligjeve: Ligjin nr. 45/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.
Kjo marrëveshje reflekton vullnetin e Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes një kontributi të drejtpërdrejtë për Forcat e Armatosura të vendit tonë.

 Ligjin nr. 51/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit, nr. 16, datë 17.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19””. Përmes këtij akti të gjitha masat ndëshkuese administrative të vendosura deri në datën 17 prill 2020 për shkeljen e rregullave apo të akteve nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e pandemisë Covid-19, dhe pasojat krijuara prej këtyre masave falen, ndërsa detyrimet e paguara për masat administrative gjobë, u kthehen qytetarëve.

Ligjin nr. 59/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike”. Mbështetja e disa sektorëve për përmirësimin e politikave gjinore, do të jetë pa diskutim një ndihmesë e çmuar në fuqizimin e rolit të gruas në ekonominë shqiptare.

Ligjin nr. 60/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të prokuruar kundërmasat mjekësore”, mundëson finalizimin e procedurave për bërjen të zbatueshme të marrëveshjes që reflekton angazhim të përbashkët për blerjen e kundërmasave mjekësore ndaj kërcënimeve serioze ndërkufitare për shëndetin. Qasja e përbashkët në negocimin e kontratave të kësaj natyre, do të ketë reflektim direkt në përgjegjësinë, disponueshmërinë dhe çmimin e produkteve mjekësore të prokuruara sipas termave të negocimit të kësaj marrëveshjeje", njofton presidenca. 
Lajm në përditësim

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.