Rama: Emigrantët të deklarojnë pasurinë! Çfarë luhet me Projektligjin e Amnistisë Fiskale?

Rama

Qeveria ka bërë gati projektligjin e amnistisë fiskale, që do të hidhet së shpejti për votim në Parlament.

Ky ligj që padyshim do të miratohet nga mazhoranca kur t’i vijë koha për votim, parashikon faljen për individët apo bizneset që kanë kryer informalitet, duke i favorizuara ata që të paguajnë 3-5% të shumës së padeklaruar. Rama u shpreh se ligji për amnistinë fiskale do të miratohet me 84 vota.

Fitimet e fshehura ndër vite, këto subjekte do të mund t’i deklarojnë duke u falur nga ligji i ri dhe nuk do ndiqen penalisht. Por kjo vetëm nëse burimet e të ardhurave të tyre nuk rrjedhin nga aktivitetet kriminale.

Por cilat janë disa nga pikat që parashikon ky projektligj dhe kush përjashtohet?

Kryeministri bëri me dije se nga ky projektligj do të përjashtohen të gjithë të gjithë politikanët gjykatësit, prokurorët, zyrtarët e lartë dhe të gjithë shqiptarët që i kanë grumbulluar këto të ardhura nga aktivitete kriminale si droga, vjedhja, prostitucioni etj.

Ai u shpreh pak kohë më parë:

Të gjithë ata që nuk i kanë paratë me drogë, terrorizëm, prostitucion që parashikohen tek ligji special apo të gjithë ata që janë politikanë gjykatës prokurorë subjekte të deklarimit të pasurive këta do të përjashtohen. Nuk mund të amnistohet pasuria e tyre dhe do të japin llogari nga unë i pari. Herët a vonë patjetër do të japim llogari një më një ku e kemi si e kemi, pastaj secili t’i dalë për Zot. Aty nuk ka më solidaritet. Socialist apo demokrat… aty, o me Shqipërinë ose tek vendi.
Ndër të tjera ai shtoi se qytetarët shqiptarë duhet të deklarojnë të gjitha pronat jashtë vendit.

Rama shtoi:

Do të fusim elementin tjetër që të gjitha pasuritë jashtë të qytetarëve shqiptarë do të deklarohen këtu. Shteti shqiptar duhet ti dijë dhe me ligj dhe në Konventën Europiane ka të drejtë të të gjëmojë nëse ke një shtëpi apo pasuri të padeklaruar.
Ky ligj parashikon se të gjithë qytetarët shqiptarë dhe emigrantët duhet të deklarojnë pasurinë e tyre, burimet e të ardhurave dhe pronat jashtë Shqipërisë.

Ditën e sotme në foltoren e Kuvendit, Rama i cilësoi emigrantët skllevër të ullinjve dhe mandarinave të cilët duhen të deklarojnë të ardhurat, ndryshe do përfundojnë tek bjondia me syze të zeza, zëdhënësja e OFL.

Pra me pak fjalë, të gjithë emigrantët nëse nuk duan të ndëshkohen nga qeveria, duhet të deklarojnë të ardhurat nga puna në të zezë që kanë mbledhur gjatë gjithë këtyre viteve në emigracion, jashtë Shqipërisë aty ku nuk ekziston as mundësia minimale për të gjetur një punë e jo më për të mbledhur të ardhura mënjanë.

Ky projektligj i cili do të shkojë së shpejti për votim në Parlament, është cilësuar nga ekspertët vendas të ekonomisë si abuzues. Pasi shkelet e drejta e barazisë mes shtetasve që kanë paguar taksa rregullisht dhe u bëhet falja atyre që për shkak të sistemit të tillë të ndërtuar, kanë përfituar gjatë gjithë këtyre viteve. Ndër të tjera cilësohet si dekurajues nga pjesa e ndershme e individëve apo bizneseve që kanë paguar taksa rregullisht.

Ndër të tjera, ata thonë se në vend do të rritet fluksi i parave të zeza, të pavërtetuara që janë siguruar nga punë “të ndershme” dhe jo aktivitete kriminale, për sa kohë që mbeten të tilla, punë në të zezë dhe nuk identifikohet vendi apo kompania ky individi ka punuar për t’i siguruar këto të ardhura.

Falja fiskale është një procedurë që aplikohet kryesisht nga një qeveri në pushtet në vitin e fundit të mandatit 4-vjeçar.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.