Rënie dramatike/ Shqipëria, hapa prapa në luftën kundër korrupsionit
Organizata ndërkombëtare 'Transparency International' publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, ku Shqipërinë e rendit në vendin e 106 me 35 pikë, duke humbur kështu 7 pozita nga viti i kaluar.
Së bashku me Shqipërinë në vendin e 106 renditet edhe Maqedonia e Veriut, Algjeria, Egjipti dhe Brazili.
Indeksi radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.
Kosova, në indeksin e sivjetëm radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.
Dy vendet që paraqiten në pozita të mira në rajonin tonë është Mali i Zi dhe Kroacia, përkatësisht në vendin e 66 dhe 63. Ndërsa Serbia ka rënë nga pozita 87 në pozitën 91.
Në aspektin global, raporti tregon se katër vende të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, kanë treguar performancë më të keqe në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin e kaluar - në mesin e tyre: Kanadaja, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Gjermania dhe Japonia nuk kanë treguar asnjë përmirësim, ndërsa vetëm Italia ka marrë një pikë më shumë.
Rezultatin më të mirë në luftën kundër korrupsionit sivjet e kanë treguar: Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda, ndërsa në fund të listës janë: Somalia, Sudani Jugor dhe Siria.
LEXO TE NGJASHME