Denimi i Berishes/ Aktivistja ngre alarmin, Ngjela: Nuk ishte shpifje
Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë sot me 500 mijë lekë ish-kryeministrin Sali Berisha për shpifje ndaj kryeministrit Edi Rama. Berisha u dënua nga gjykatësja Mariana Shegani për një status të postuar në rrjetet sociale. Bashkëngjitur statusit, Berisha postonte edhe një shkrim nga një media.
Vendimi ka trazuar jo pak komunitetin opozitar dhe gazetaresk, që duhet të përballet me ligjin antishpifje të votuar nga mazhoranca.
Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, e cila ka bërë rezistencë kundër nismave antishpifje të qeverisë Rama, reagoi ndaj vendimit të sotëm.
Kusari thotë se vendimi i sotëm tregon se dënimi tregoi se ekzistojnë ligjet për gjykatat që të vendosin për shpifjen. Sipas saj, nismat e Ramës kanë vetëm një qëllim: cenimin e lirisë së shprehjes dhe kontrollin ndaj mediave online.
Ajo postoi po ashtu edhe një link të një shkrimi, që tregon se gjyqet për shpifje i fiton gjithmonë pushteti në Shqipëri.
“Një rishikim i tetëmbëdhjetë çështjeve gjyqësore që mbartin veprën penale të shpifjes dhe që janë shqyrtuar nga Gjykata e Lartë, tregon se në trembëdhjetë raste, përplasjet mes politikanëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës kanë përfunduar gjithmonë me fitoren e maxhorancës,” thuhet në shkrimin e publikuar nga BIRN.
Për këtë çështje foli edhe avokat Spartak Ngjela në ABC News.
Ai u shpreh se statusi i Berishës nuk mund të konsiderohet shpifje. Sipas avokatit, kemi të bëjmë me nje lajm politik që mund të ketë interpretim rreth faktit, por nuk ka shpifje.
“Jo, s’ka shpifje atje. Shpifja do qëllim të posaçëm kundër personalitetit tënd. Shpifja kërkon qëllim të posaçëm kundër individit. Ky ishte lajm politik dhe nuk kishte lidhje me individin. Mund të kete qënë gjyqtar i paaftë. Shpifje nuk ka njëherë,” tha ai.
Sipas tij, paketa ligjore antishpifje e Ramës është një paçavure.
LEXO TE NGJASHME