INSTAT/ Kush fiton nga Mini - Shengeni? Eksportet
Teksa tre shtete të Ballkanit, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia po shkojnë drejt krijimit të një Mini-Shengeni ballkanik, vendi ynë në fakt ka lidhje më të forta tregtare me Kosovën, e vetmja me të cilën ka një bilanc tregtar pozitiv, çka nënkupton se eksportojmë më shumë sesa importojmë. Në të kundërt, me Serbinë, Shqipëria ka një deficiti të thelluar tregtar, për shkak se jemi shumë më pak konkurrues në pothuajse të gjitha produktet.
Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor, në Kosovë shkojnë 50% e eksporteve të Shqipërisë drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është shteti i vetëm me të cilin ne kemi një suficit të lartë tregtar prej rreth 150 milionë eurosh për 10 mujrin 2019. Produktet më të eksportuara drejt Kosovës, sipas INSTAT janë nafta e mineralet dhe çeliku.
Në të kundërt, me Serbinë kemi një deficitit të fortë tregtar. Nga Serbia importojmë 49% të produkteve që marrim nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për 10 mujorin, deficiti me Serbinë ishte rreth 100 milionë euro. Në bazë të kësaj tendence, për gjithë vitin 2019, drejt Serbisë vlerësohet se do të shkojnë neto rreth 120 milionë euro.
Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2018, nga Serbia, produkti më i importuar ishin lëndët djegëse, me rreth 30% të totalit, e ndjekur nga drithërat, me rreth 19%. Hyrja e grurit e miellit të lirë nga Serbia vitet e fundit, jo vetëm që pothuajse çoi drejt falimentimit prodhuesit vendas të miellit, por ngriti shumë pikëpyetje edhe për cilësinë e drithërave që hynin. Serbia është një ekonomi më konkurruese (renditet e para në rajon në Indeksin e Konkurrueshmërisë globale), ndërsa dhe shteti është i prirur për të ndihmuar industrinë vendase, përmes subvencioneve indirekte. Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës Shqiptare të prodhuesve thotë se Serbia i nxit bizneset e veta në strukturën e kostove dhe kjo është një arsye se pse qumështi serb, psh është më i liri në rajon. Ai shton se aktualisht qeveria serbe po harton një dokument për politikat industriale, që synon t’i bëjë industritë e saj më konkurruese. Shkodra thotë se ekonomia shqiptare dhe bizneset janë shumë të pastrukturara nga brenda, ndërsa ata janë shumë më përpara dhe kjo na bën ne humbës në rast të një hapjeje të mëtejshme të tregtisë.
Tre produktet më të eksportuara në Serbi në 2018-n, sipas INSTAT janë lëndët djegëse, zarzavatet dhe veshjet e këmbëve.
Serbia ka të zhvilluar dhe eksportet e shërbimeve dhe sidomos të teknologjisë së informacionit.
Ndërsa me Maqedoninë, për 10 mujorin, importet ishin pothuajse të barabarta me eksportet, ndërsa vitet e mëparshme, Shqipëria ka rezultuar me deficit tregtar.
“Mini Shengeni Ballkanik”, është një nismë e prazantuar së fundmi nga tre shtete të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kjo marrëveshje, sipas palëve do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor.
Zbatimi i Mini Shengenit Ballkanik është konsideruar i dobishëm nga kryeministri shqiptar Rama, pasi sipas tij nuk do të ketë më dogana për njerëzit dhe se bizneset e kapitalet do të përfitojnë financiarisht./MONITOR
LEXO TE NGJASHME