“S’merret peng Shqipëria duke shitur Kosovën” Çfarë thotë Duma për ‘Shengenin Ballkanik’
Një tjetër eksponent Partisë Demokratike ka dalë kundër ‘Shengenit Ballkanik’ këtë të shtunë. Ish- deputetja e PD Grida Duma është shprehur pas Samitit të mbajtur në Tiranë, se Shqipëria duhet të ecë në të njëjtën vijë me Kosovën sa i përket raporteve me Serbinë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Duma e cilëson qeverinë e Shqipërisë si të pabesë dhe mosmirënjohëse në një kohë kur një muaj më parë Kosova ndihmoi me grupe operacionale shpëtimi dhe ndihma për tërmetin e 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona.
Grida Duma shkruan se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin së bashku rrugën e integrimit dhe se pa u plotësuar kërkesat e Kosovës, vendi ynë nuk duhet të zhvillojë asnjë takim me Serbinë.
STATUSI I PLOTË I GRIDA DUMËS
Shqipëria nuk ka qenë, nuk është, e nuk do të jetë cilitdo Vuçiç!
As Kosova nuk është e Edi Ramës!
Përgjegjshmëria ndaj Kosovës nuk të njihet apriori vetëm se je kryeministër në Shqipëri.
Çështja shqiptare nuk është punë mandatesh, por detyrash historike. Mungesa e përgjegjësisë është shumë më e rëndë se turpi i mosmirënjohjes!
Vetëm pak javë më parë, pa fjalë dhe pa bujë Kosova erdhi të ndihmoi një Shqipëri ku ekipet e shpëtimit gërmonin me duar, një Shqipëri pa fond e pa rezerva emergjence, pa mekanizma për shpëtimin e të mbijetuarve.
Disa nga qytetet e Kosovës e të shqiptarëve të Maqedonisë dhanë paratë e caktuara për zbukurimet e fundvitit, qytetarët e Kosovës hapën portat e shtëpive dhe institucionet e Kosovës u angazhuan në një përpjekje masive që tregoi një gjë dhe vetëm një gjë – në Kosovë jeton pjesa më vitale e kombit shqiptar.
Çfarë bëjnë institucionet e Shqipërisë për ta vlerësuar këtë fakt?
Asgjë!
Por asgjëja e institucioneve nuk është asgjë para dëmit që i bën Kosovës qeveria e Shqipërisë.
Marrëveshja per Mini-Shengenin është e nxituar dhe e gabuar. Ajo po krijon polarizim dhe ndarje me të mëdha mes Shqipërisë dhe Kosovës, një përçarje mes shqiptarësh e cila asnjëherë nuk ka qenë në këto përmasa që nga rënia e komunizmit në 1991.
Asnjëherë nuk do të duhej që në Tiranë të parakalonin politikanët e Beogradit, kur një gjë e tillë kryhet në kurriz të Kosovës. Aq më tepër kur Vuçiç ishte pjesë e qeverisë së Millosheviçit që dëboi një milionë shqiptarë vetëm sepse quheshin shqiptarë, që shfarosi, përdhunoi dhe masakroi me forcën e armëve. Të gjitha këto krime sot Vuçiç i mohon, dhe Tirana bën sikur i harron.
Na duhet të pyesim: si janë ndjerë nënat shqiptare në Kosovë kur në mes të Tiranës ecën me arrogancë dhe triumfalizëm mohuesi i masakrës së Reçakut? Mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria të reflektojë mirë, përpara se të bëjë çfarëdolloj hapi tjetër që dëmton qoftë edhe një centimetër të Kosovës, qoftë edhe një grimë të dinjitetit dhe ndjenjave të saj.
Samiti i Durrësit, në mungesë të Kosovës, si dhe të çfarëdolloj transparence paraprake, ishte një nismë gjysmake. Si e tillë ai kontribuon në diçka që është absolutisht e kundërta e qëllimeve të mira. Ky samit shton dyshimet se pas ngutisë së treshes Vuçiq-Rama-Zaev fshihet një rrezik që nuk mund të anashkalohet me besimin apriori projekti është frymëzuar nga qëllime të mira.
Samite të tilla i shërbejnë Beogradit per rehabilitimin e politikës së vjetër, si dhe për ta fshehur pas sherreve ndërshqiptare politiken agresive ndaj Kosovës dhe Luginës së Preshevës.
Ajo që kemi për të bërë, -e që duhet ta bëjmë të gjithë së bashku – është e thjeshtë.
E para: Shqipëria nuk duhet të bëjë hedhë asnjë hap që lidhet me integrimin rajonal pa dakordimin e Kosovës;
E dyta: Shqipëria nuk do të shkojë në asnjë mbledhje me Serbinë – e jo më të organizojë spektaklin e turpshëm të sorollatjes së Vuçiçit në qendrat ku strehohen të pastrehët “nëpër hotelet me 5 yje”, në mungesë të plotësimit nga kjo e fundit të kërkesave të Kosovës;
E treta: Çdo politikë madhore që prek interesin kombëtar, Shqipëria dhe Kosova duhet ta rakordojnë bashkë. Përgjegjësia mbetet me ata që nuk janë të aftë ta realizojnë këtë.
Nëse Kosova nuk do ta takojë Serbinë, as Shqipëria nuk duhet ta takojë.
Nuk është kjo për ti thënë faleminderit Kosovës. Është domosdoshmëri, është përgjegjësi, është paevitueshmëri. Nëse do të integrohemi, do të integrohemi bashkë.
Askush nuk mund të marrë peng Shqipërinë duke shitur Kosovën. Askush nuk do të na tërheqë të gjithëve në gropën që po i hap vetes.
Ata që do të bien, do të jenë të vetëm.
Do të bien në greminën e mosmirënjohjes dhe pabesisë së tyre./https://www.gazetaexpress.com/
LEXO TE NGJASHME