Betohen prokurorët e SPAK, Meta u uron suksese
Në Institucionin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”
Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.
LEXO TE NGJASHME