Humbje në Buxhet 14,3 miliardë lekë

BBbanner kryeministria e re 1 lajm km 1 11572936083

Të ardhurat në buxhetin e shtetit për 11 mujorin arritën ne 421.3 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat shënuan një rritje minimale prej 3.4%. Teksa inflacioni mesatar për 11 mujorin ishte 1.5% dhe rritja ekonomike pritet në rreth 3% këtë vit, atëhere zgjerimi real i të ardhurave është negativ.

Në raport me planin, diferenca është thelluar më tej në nëntor. Për 11 mujorin, financave u mungojnë nga parashikimi fillestar rreth 14.3 miliardë lekë, ose 116 milionë euro. Kjo shumë është sa gjysma e asaj që qeveria me zor ka arritur të sigurojë për fazën e parë të rindërtimit pas tërmetit shkatërrues në Durrës, zonën e Lezhës dhe më pak në Tiranë.

Vetëm në nëntor, të ardhurat ishin 37.9 miliardë lekë, ose 4.2 miliardë lekë më pak se plani, por duke qenë brenda linjës së mesatares mujore prej rreth 38 miliardë lekë të mbledhur deri tani. Në muajt e fundit financat gjithnjë parashikojnë një rritje të planit, që kulmon në dhjetor, ku parashikohen të mblidhen 49 miliardë lekë. Por, duke pasur parasysh tendencën mujore dhe sidomos pasojat e tërmetit tek bizneset në Durrës, dhe stepjen që mori ekonomia në dhjetor, performanca e muajit të fundit të vitit pritet të jetë negative.

Për 11 mujorin, zëri me ecurinë më të keqe në buxhet ishte tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH). Të ardhurat nga TVSH ranë me 4.4% në raport me faktin e një viti më parë, duke qenë ndërkohë dhe 11.2 miliardë lekë më pak sesa plani. TVSH është një tregues direkt i konsumit në ekonomi. Nga ana tjetër ndikim ka pasur dhe përjashtimi nga TVSH i nënkontraktorëve të gazsjellësit TAP, çka tregon për varësinë e lartë që kishte ekonomia nga një projekt i vetëm.

Me nënrealizim ishin dhe akciza (-1.1 miliardë lekë më pak se plani).

Performanca e dobët e tyre u kompensua nga tatimi mbi të ardhurat personale, që solli 5 miliardë lekë më shumë sesa plani, i ndikuar nga amnistia e dividendit, që u ul nga 15 në 8% edhe për fitimet e viteve të mëparshme me kusht që të paguhej brenda shtatorit. Edhe tatim fitimi solli 3.1 miliardë lekë më shumë se plani.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ishin brenda pritshmërive.

Pak ditë më parë, qeveria bëri një rishikim të projekt buxhetit 2020, i cili bëri një rialokim të fondeve prej 20 miliardë lekësh me qëllim përdorimin e tyre për rindërtimin pas tërmetit. /MONITOR

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.