VIDEO/ “S’po bëj humor, nesër kanalin”, Rama detyrë tjetër Veliajt
Pas ‘detyrës’ për lyerjen e pallatit, kryeministri Rama i ka kërkuar sot kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të rregullojë që nesër një kanal në një nga fshatrat ku ai ndodhej sot në mbrëmje teksa vizitonte një familje e cila ishte pajisur me shtëpi të re pas tërmetit të 26 nëntorit.
Teksa drejtoheshin për te shtëpia e banorit Rama vuri re që rruga ishte në kushte shumë të këqija dhe i kërkoi llogari Veliajt.
Rama: Mire këtë kanalin do ta rregulloni?
Veliaj: Fillimisht bëmë shtëpitë të fusim kokën edhe pastaj do bëjmë edhe kanalin
Rama: Jo pastaj, jo pastaj kanali duhet bërë nesër.
Veliaj: Po fillimisht duhet bërë shtëpia pastaj kanali
Por çështja e kanalit nuk u kalua kaq shpejtë nga Rama. Ai ja rikujtoi sërish Veliajt kur ata ndodheshin brenda shtëpisë. Në momentin që i zbuloi dhuratën djalit të vogël, një makinë lodër, Rama i tha “tani shtëpinë e ke të shtrume mund ta xhirosh këtu”, ndërsa Veliaj ndërhyri duke thënë “edhe te oborri” por u ndërpre nga kryeministri.
Rama: Jo te oborri jo po nuk rregullove atë rrugën ti nuk lëviz ajo, rregullo atë kanalin aty
Veliaj: Sot u futem në shtëpi njëherë
Rama: Jo sot u futëm në shtëpi, nesër kanalin. (I drejtohet dikujt tjetër) Gento, tani unë i them atij po të takon ty.
Genti: Janë pasojat
Rama: Ça pasojash?
Genti: Janë pasojat e shumë viteve
Rama: Fillut prapë juve me këto si puna ksaj që thotë kam bo frëngjisht para shumë viteve. Sa vite u bom ne. S’ka më pasojat e shumë viteve rregullo kanalin. Do thotë goca pastaj doja me mësu po më ra libri në kanal.
Veliaj: Rifat, përtej humorit që bën kryeministri …
Rama: Jo s’është humor duhet bërë kanali
Ky nuk është debati i parë që Rama i kërkon llogari Veliajt për punë që janë në juridiksionin e Bashkisë. Pak kohë më parë ai i tërhoqi vërejtjen atij për hyrjen e pa lyer të një pallati. Ai nuk e kurseu atë as sot, në ditën e ditëlindjes së Veliajt. /Opinion.al
LEXO TE NGJASHME