Gazetarët nuk lejohen në kampin e Thumanës, Rama kërcënon sot mediat me fikjen e sinjalit

sinjali.rama

Gazetarët nuk janë lejuar që nga pasditja e së mërkurës, të futen në kampin e Thumanës, ku qëndrojnë banoret e prekur nga tërmeti.

Sipas burimeve, urdhri për të mos lejuar gazetarët është lëshuar nga Ministri i Brendshmë Sandër Lleshaj rreth orës 16:30.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Edi Rama e konfirmoi indirekt këtë lajm, kur paralajmëroi dhe kërcënoi deri në fikjen e sinjalit, ato media që sipas tij nuk do të kontribojnë në qetësimin e situatës por do të ngjallin panik për të fituar audiencë.

Rama tha: "Besoj se është me shumë rëndësi të nënvizoj sot duke u nisur dhe nga një fluks i madh shqetësimesh dhe shprehjesh alarmi dhe paniku të njerëzve se ka një rëndësi tejet të posaçme përgjegjshmëria e të gjithë atyre që kanë në dorë një instrument komunikimi.

Përgjegjshmëria e të gjithë atyre që kanë përgjegjësinë të shfaqen në ekrane apo të publikojnë lajme nëpër portale, në rrjete sociale, sepse është vërtet momenti për të kontribuar në ruajtjen e qetësisë, për të ndihmuar psikologjikisht një popull të tërë të traumatizuar dhe nuk është momenti as për audiencë, as për LIKE e as për sharlatanë që shfaqen nëpër ekrane me teori konspiracioni dhe me parashikime që e marrin zanafillën nga koha e romakëve në Durrës.

Këto janë krime në kuptimin e vërtetë të fjalës, krime të një papërgjegjshmërie absolute që cenojnë drejtpërdrejt jetën e përditshme të njerëzve dhe bien ndesh në mënyrë flagrante me standartet e gjendjes së jashtëzakonshme.

I bëj thirrje të gjithëve duke pasur besim dhe duke besuar se i bëjnë nga mungesa e një reflektimi pak më të thellë dhe jo me ndonjë qëllim të keq, që të mos na detyrojnë që të vëmë në lëvizje mekanizma që i parashikon gjendja e jashtëzakonshme, për t’iu fikur fare dritën e ekraneve dhe të pasqyrave të tyre, "nënvizoi Kryeministri.

Rama nuk e preku faktin se prania e mediave dhe transparenca do të ndihmonë në menaxhimin sa më mirë të situatës dhe në denoncimin e abuzimeve.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.