Paralajmërimi i fundit i Ilir Metës: Parlamenti shpërndahet me një dekret

1572179770 ilirmeta31

“Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese”

Presidenti Ilir Meta ka folur me tone të ashpra duke iu drejtuar mazhorancës socialiste për ngërçin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, Meta u shpreh se askush nuk duhet të guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese, teksa ka thënë se nuk ka asnjë institucion më të rëndësishëm se Kushtetuta.

Kreu i shtetit ka paralajmëruar se edhe vetë Parlamenti mund të shpërndahet me një dekret presidencial.

Ndërsa ka përsëritur edhe deklaratën që bëri në emisionin “Opinion” mbrëmjen e djeshme, kur tha se do të flasë në momentin e duhur se si po tentohet të kapet Reforma në Drejtësi.

Meqënëse po afron 22 Nëntori, dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën, dhe këto parime të Kushtetutës që janë edhe sot të sanksionuara pavarësisht nga deformimet e pandershme që janë bërë në pabesi ndaj vullnetit të popullit shqiptar gjatë këtyre 21 viteve, kam një paralajmërim të fundit për gjithë ata që mendojnë se betimit i Ilir Metës me dorën mbi Kushtetutë si President i Republikës së Shqipërisë ka qenë një proces formal apo ceremonial: Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë se sa Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacënueshëm në integritetin e vetë, që është Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën në përpjekje për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetutese, janë të dështuara, janë të vdekura. Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Është institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi. Parlamenti me një dekret shpërndahet. Qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet. Presidenti me një ‘impeachment’ nga një Parlament legjitim, jo nga ky. Përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Por jo Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. E nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale, do t’i bëj të qartë se në fund fare kjo është Kushtetutë që mbron popullin e Shqipërisë. Dhe do të jetë detyrë e popullit të Shqipërisë dhe e Presidentit të Republikës së Shqipërisë që t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore edhe të gjithë shërbëtorëve dhe skllevërve të tyre kudo ku janë. Besoj se jam shumë i qartë.

Secili të shikojë detyrën e vetë, të zbatojë kompetencat e veta. Veprimet do të vazhdojnë të jenë nga Presidenti institucionale, dhe në momentin e duhur Presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë për interesin e popullit shqiptar që është dhunuar në mënyrën më barbare sidomos në këto dy vite, kur u la qëllimisht edhe pa Gjykatë Kushtetuese”, tha Ilir Meta para nisjes së aktivitetit “Forumi rajonal për barazinë gjinore”. /tvklan.al

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.