'Kushtetuesja', Meta: po shkelet Kushtetuta, kryetari i KED po kryen veprime mafioze

aaaaauto Ilir Meta1

Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp në mbrëmje, pasi dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

“Siç jeni njohur nga zëdhënësi i presidencës, ose sic më pëlqen ta konsideroj Blushi im, kam firmosur dekretin për përzgjedhjen e zonjës Marsida Xhaferllari si gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese pas kthimit nga Parisi,” tha Meta.

Kreu i shtetit tha se krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një moment historik, ndaj Kushtetuta duhet zbatuar në mënyrë rigoroze.

“Momenti i krijimit të Gjykatës Kushtetuese është historik, sepse për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës në Kushtetutë për Reformën në Drejtësi. Prandaj është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta, sidomos për Gjykatën Kushtetuese. Pra çdo veprim i presidentit aktual mbetet si precedent për presidentët e ardhshëm,” tha Meta.

Ai akuzoi ashpër kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani se ka bërë një lojë mafioze me dërgimin e listave vetë, pavarësisht se KED është një organ kolegjial. Meta e quajti Dvoranin të keqpërdorur dhe ushtar të partisë.

“Kryetari i KED bën lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën se si i dërgon listat, në mënyrë të dyshimtë, për të mos thënë mafioze, që të vendosë presidentin në këtë pozitë: që o të shkelë detyrimisht Kushtetutën e Shqipërisë që thotë qartë se ai plotëson vakancën e parë dhe pastaj është radha i Kuvendit, ose me interpretime qesharake dhe absurde thotë se i ka mbaruar afati presidentit, kjo është absurde, e turpshme, mafioze” tha Meta.

I pyetur nga gazetarët nëse janë shkelur afatet prej 30 ditësh, Meta tha se nuk ka asnjë afat të përcaktuar në Kushtetutë për presidentin e Republikës. Meta citoi sërish nenin e Kushtetutës që flet për rendin sipas të cilit zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, fillimisht nga presidenti, më pas nga Kuvendi.

“Kushtetuta e thotë qartë se presidenti ka të drejtën e parë për vakancën e parë, pastaj është parlamenti dhe kështu përsëritet e njëjta renditje dhe në këtë aspekt është detyra e KED-së të rregullojë listat e vakancës,” tha Meta.

Sipas tij, “Presidenti i Republikës ka qenë shembull i bashkëpunimit me KED-në”.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.