Meta në Kalabri: Trashëgimia arbëreshe të mbrohet nga UNESCO
Në kuadër të nismës “U’ jam Arbëresh”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë në rajonet e banuara nga arbëreshët në Kalabri dhe Pulja. Kreu i shtetit shqiptar tha se do të bashkëpunojë me Italinë që trashëgimia e pasur kulturore arbëreshe të mbrohet nga UNESCO.
"Qeveria shqiptare, ka miratuar një vendim për të ngritur ‘Qendrën e Studimeve Arbëreshe’, që është një lajm pozitiv. Unë, mendoj që do të kemi dhe shumë akte të tjera që, do të synojnë mbrojtjen e kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme shumë shekullore.
Do të kemi bashkëpunim edhe me qeverinë italiane dhe me shtetin Italian, për të bërë çdo gjë, që kjo trashëgimi e pasur kulturore të mbrohet nga UNESCO. Besoj që shumë shpejt do të kemi një marrëveshje konkrete në të gjitha këto fusha dhe njëkohësisht do të bëjmë çdo përpjekje që të luftojmë pengesën kryesore që kemi për momentin, mungesën e një linje ajrore direkte fluturimi Tiranë-Lamecia, që jam i bindur që do t’i japë një shtytje shumë të fuqishme të gjitha shkëmbimeve tona njerëzore dhe ekonomike.
Kam ardhur dje nga Tirana në Bari me avion në më pak se 30 minuta, por jam i bindur që një të ardhme të shpejtë do të vij nga Tirana në Lamecia për 45 minuta dhe kjo nuk është e rëndësishme vetëm për mua, por është e rëndësishme që të vijnë sa më shumë nga Shqipëria dhe sa më shumë nga Kalabria në Shqipëri. Ne jemi të lumtur që sot kemi edhe një komunitet italian në Shqipëri. Kemi edhe një universitet italian në Shqipëri.
Kemi shumë studentë italianë të cilët studiojnë në Shqipëri, sidomos për mjekësi, dhe duhet ta dinë të gjithë ata që e kanë të vështirë të studiojnë për mjekësi në Itali, që mund të studiojnë në Shqipëri dhe të marrin një diplomë të nivelit të lartë europian. Komuniteti italian në Shqipëri po rritet, ashtu sikurse komuniteti ynë i ri i viteve ‘90 po integrohet gjithnjë e më mirë në të gjithë Italinë.
E vetmja gjë që është e sigurt, të cilës nuk ka se çfarë t’i bëjë globalizimi, është gjeografia. Shqiptarët dhe italianët kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë bashkë, edhe për shkak të gjeografisë, por edhe të historisë dhe gjithë këtyre lidhjeve njerëzore që kemi krijuar, kaq të forta.
Të bashkuar ne do t’i përballojmë të gjitha sfidat, në mënyrë që të kemi një të ardhme shumë më të mirë e të ndritur për popujt tanë, për vendet tona, për fëmijët tanë, në Plataçi, në Kalabri, në Shqipëri. Ne kemi kaq shumë diell dhe duhet të kemi më shumë shpresë dhe duhet të punojmë më shumë për ta kthyer këtë shpresë për të rinjtë tanë. Edhe një herë faleminderit për mikpritjen e ngrohtë e të përzemërt" tha Meta ndër të tjera.
LEXO TE NGJASHME