Rihapet gara për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, kandidatët afat deri në 15 shtator
Pas shkarkimit nga vetingu i gjyqtarit Fatos Lulos se nuk justifikoi pasurinë, Kuvendi i Shqipërisë ka rihapur garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Gara do të jetë e hapur deri në datën 15 shtator, ku të gjithë kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet pranë këtij institucioni brenda këtij afati. Në faqen zyrtare të Kuvendit, janë bërë publike të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë emrat e interesuar, që nga përvoja e punës jo më pak se 15 vjet në sistemin e drejtësisë apo vlerësimet në aspektin profesional si dhe integritetin etik e moral.
Gjykata Kushtetuese është Gjykata më e lartë në Shqipëri e cila vendos se çfarë do të thotë Kushtetuta. Ajo mund të vendosë edhe kundër Presidentit, Kryeministrit si dhe agjencive qeveritare. Në një video mesazh të publikuar disa ditë më parë, Ambasada Amerikane ka shpjeguar me hollësi rolin e kësaj gjykate në sistemin e ri të Drejtësisë. Aktualisht Kushtetuesja ka vetëm një anëtar, Vitore Tushën, në krahasim me 9 që duhet të ketë. Do të jetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili me anë të një grupi Gjyqtarësh dhe Prokurorësh me provojë do të kontrollojë kualifikimet e kandidatëve që janë shprehur të interesuar.
Më pas ata do të propozojnë tre emra për secilin vend në këtë gjykatë dhe më pas do të kalojë me rotacion mes Kuvendit Presidentit dhe Gjykatës së Lartë. Nëse nuk bien dakord, atëherë do të zgjidhet automatikisht kandidati i renditur më lart nga lista e KED. KED i nisi intervistat më 7 gusht me Besnik Muçin, ndërsa i mbylli ditën e premte kandidatët e tjerë Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Regleta Panajoti dhe Marsida Xhaferllari. Pas intervistimit të tyre KED do të përgatisë listën përfundimtare me renditjen e tyre që më pas do t’i paraqiten Presidentit dhe Kuvendit.
Kriteret
-Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
-Të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
-Të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
-Të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
-Të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
-Të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
-Të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
-Të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
-Të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Kriteret mbi bazën e të cilëve do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve
-Vjetërsisë në profesion;
-Përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
-Kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
-Treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
-Ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
-Informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
Dokumentet e nevojshme
-Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;
-Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni, adresë e-mail);
-Fotokopje të kartës së identitetit;
-Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të -Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
-Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.
-Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
LEXO TE NGJASHME