Fitimet e koncensioneve të shëndetësisë u rritën me 60%

0.4spital rama vesh cime palstams 27778 905x395

Bizneset që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me koncesionet, të llojit Partneritet Publik-Privat, janë duke realizuar fitime të larta, mbi mesataren e tregut. Norma mesatare e fitimeve në ekonomi ishte 7-8% sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2017, ndërsa norma e fitimit në koncesionet e shëndetësisë ishte 13% më 2018.

Vitin e kaluar, fitimet e koncesioneve të sektorit të shëndetësisë u rritën 60% në raport me 2017, sipas të dhënave nga bilancet zyrtare që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të përpunuara nga “Monitor”.

Të tria kompanitë që zotërojnë koncesione në shëndetësi raportuan 3.2 milionë euro fitime, nga 2 milionë euro që raportuan në vitin 2017.

Pjesa më e madhe e fitimeve është realizuar nga koncesioni i sterilizimit nëpërmjet kompanisë SaniServis me rreth 2 milionë euro, teksa 3P Life Logistic që zotëron CheckUp-in dhe koncesioni i Hemodializës raportuan fitime më të ulëta se një vit më parë.

Vetëm duke përllogaritur fitimet që rrjedhin nga koncesionet e shëndetësisë, që janë kontribut i pastër i taksave të shqiptarëve, shuma do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një qendër spitalore publike moderne.

Sterilizimi trefishon fitimin më 2018

Kompania SaniServise, që ofron shërbimin e sterilizimit për instrumentet kirurgjikale, raportoi 265 milionë lekë fitime ose rreth 2.1 milionë euro, sipas deklarimeve zyrtare në bilancin 2018. Të ardhurat e kompanisë arritën në 1.7 miliardë lekë vitin e kaluar, ndërsa norma e fitimit ishte 15%. Fitimet e SaniServis u trefishuan në raport me 2017.

Kompania SaniServis ka fituar koncesionin e sterilizimit, me një total prej 12,3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025. Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, SaniServis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet. Ekspertët e Shëndetësisë pohojnë se kostot e sterilizimit kanë kaluar kostot e operacionit, dhe kjo është absurde sipas tyre.

Check-Up, 731 mijë euro fitime në vitin 2018

Koncesioni i kontrollit bazë Check-Up nëpërmjet kompanisë 3P LifeLogistic realizoi të ardhura në masën 876 milionë lekë, teksa fitimet ishin rreth 90 milionë lekë ose 731 mijë euro, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc) më 2018.

Një vit më parë, fitimet e kompanisë ishin 750 mijë euro mbi 100 milionë lekë.

3P LifeLogistic, kompania e themeluar për mbarëvajtjen e koncesionit 10-vjeçar të checkup-it zotërohet në 80% të aksioneve nga kompania Marketing & Distribution dhe në 20% nga kompania Trimed.

E vendosur shpeshherë në shënjestër për koncesionin, qeveria është përpjekur ta mbrojë atë me argumentin se kompania private ka kryer investime, që buxheti i shtetit nuk kishte mundësinë t’i bënte. Por bilanci i kompanisë duket se nuk e mbështet këtë argument.

Kompania 3P LifeLogistic, e themeluar në dhjetor 2014 me një kapital themeltar prej vetëm 30 milionë lekësh, ka deklaruar investime totale në laboratorë shumën prej 337 milionë lekësh, ndërkohë që të ardhurat nga taksapaguesit kanë qenë në vlerën e 554 milionë lekëve.

Gjithashtu, koncesioni i ka mundësuar kompanisë që pas një investimi në kapital themeltar prej vetëm 30 milionë lekësh, brenda nëntë muajve nga fillimi i aktivitetit të nxjerrë një fitim neto prej 45 milionë lekësh, me një normë kthimi prej 150%.

Kontrata do të zgjasë për dhjetë vjet, gjatë të cilave, tatimpaguesit do të paguajnë rreth 54 milionë euro, pavarësisht se sa do të jetë numri i analizave të kryera.

Dializa, DiaVita fiton 381 mijë euro

Kompania tjetër DiaVita, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni realizoi, rreth 47 milionë lekë, ose 381 mijë euro fitime vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga bilanci i vitit 2018, kompania realizoi të ardhura rreth 643 milionë lekë, të cilat janë financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që kompania ofron prej dy vitesh në disa qytete të vendit. Edhe pse të ardhurat më 2018 ishin më të larta se një vit më parë, kompania raportoi rënie të fitimeve me 36% në raport me vitin 2017.

DiaVita që ka fituar të drejtat e koncesionit për një periudhë 10-vjeçare, që nga momenti ku kontrata u bë aktive në vitin 2016 dhe është e vlefshme deri më 2026. Në buxhetin e shtetit, koncesioni i Dializës është parashikuar të financohet me 655 milionë lekë në vit.

Sipas kontratës me qeverinë, DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Qeveria shqiptare ka argumentuar se e autorizoi këtë shërbim te privati për të rritur standardet e shërbimit dhe për mundësimin e ofrimit të këtij shërbimi sa më pranë pacientit.

Së fundmi, Kompania DiaVita sh.p.k., që ka aktualisht koncesionin e hemodializës me një afat 10-vjeçar, është shitur te një kompani suedeze. Kompanitë e përfshira në këtë transaksion Evita sh.p.k. dhe American Hospital që kanë krijuar që në fillesa DiaVita, kanë kërkuar miratim të përqendrimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës. Ky i fundit, në një njoftim të këtyre ditëve, bëri të ditur se pranë institucionit është depozituar njoftimi në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të shoqërisë DiaVita SHPK nga shoqëria Diaveruminternational AB. https://www.monitor.al/koncesioni-i-hemodializes-u-shitet-suedezeve-kompanite-kerkojne-miratim-nga-konkurrenca/

Koncesionet në shëndetësi kushtojnë 311 mln euro për 10 vjet

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione në sektorin e shëndetësisë për 10 vitet në vijim.

Ekspertët të sektorit të shëndetësisë po ankohen gjithnjë e më shumë se burimet financiare për sektorin po shkojnë në drejtimet dytësore dhe tretësore, ndërsa parandalimi i sëmundjeve dhe trajtimi i tyre kërkon investime në pajisje dhe teknologji të reja, por realiteti është edhe më i trishtë, pasi edhe numri i shtretërve nuk mjafton në shumicën e pavijoneve të QSUT-se.

Megjithëse koncesionet PPP në sektorin e shëndetësisë kanë hyrë në vitin e katërt, ka shumë pak transparencë ndaj tyre dhe analizat e kosto-përfitimeve mungojnë. Por të dhëna të fragmentuara që burojnë nga dokumente zyrtare tregojnë se koncesionet po rezultojnë me kosto shumë herë më të larta se përfitimet.

Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që, sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.