Meta: Të bëjmë zgjedhjet me 13 tetor, ose 19-a do jetë shumë vonë
Presidenti Ilir Meta u bën thirrje palëve politike që të bëjnë çmos për të pasur zgjedhje më 13 tetor, si një mundësi e vetme sipas tij që Këshilli i BE-së të japë vendim pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, vendim që pritet të merret më 17-18 tetor. Meta thotë përmes një postimi në Facebook se nuk duhet humbur asnjë ditë, pasi 19 tetori do të jetë shumë vonë. Me këtë qëndrim, nëse çelen apo jo negociatat, Meta do t'ia faturojë faktit nëse mbahen ose jo zgjedhjet.
"Koha që të mos mbetemi edhe në vjeshtë! Të dashur qytetarë, 30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër. Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor. KOHA ËSHTË TANI! Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!", shkruan Meta.
Sipas presidentit, zgjedhjet e 30 qershorit ishin farsë, edhe pse ato janë njohur nga ndërkombëtarët dhe janë certifikuar edhe nga KQZ. Për herë të parë, dje, lideri demokrat Lulzim Basha pranoi propozimin e kreut të shtetit, që më 13 tetor të mbahen tre zgjedhje, përsëritja e atyre vendore, të parakohshmet parlamentare, dhe ato për presidentit.
Njëkohësisht, kjo ishte tërheqje dhe dështim i Lulzim Bashës nga kauzat e opozitës për qeveri tranzitore dhe për largimin e Edi Ramës, kushte të cilat nuk përfshihen në 'paketën' e Metës.
LEXO TE NGJASHME