Hapen kutitë/ KQZ rinumëron votat në 11 qendra në Bashkinë e Lezhës
Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet tw të hapë kutitë në 11 qendra votimi në Bashkinë e Lezhës, pasi pranoi ankimimin e kandidatit nga Partia Konservatore, Eduard Ndocaj që garoi përballë Pjerin Ndreut të Partisë Socialiste që i fitoi zgjedhjet. Pas pranimit të kësaj kërkese, sot në orën 10:00, KQZ do të marrë provat për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në 11 qendrat e votimit.
Kjo do të thotë, se në KQZ do të mbërrijnë kutitë nga këto 11 qendra votimi, ku do të bëhet numërimi i votave në secilën kuti dhe për të parë nëse ka parregullsi nga shifra e votave totale që janë shënuar në procesverbal nga KAZAZ-të.
Sipas pretendimeve të Eduard Ndocajt, kandidatit për kryebashkiak, në 11 qendra votimi në bashkinë e Lezhës ka pasur më shumë vota sesa votues dhe për këtë arsye do të hapen kutitë për të parë nëse ka apo jo shkelje.
Kodi Zgjedhor parashikon se nëse numri i votave ndikon në rezultatin e zgjedhjeve atëherë shpallen qendrat e pavlefshme. Edhe nëse 11 qendra që do të hapen shpallen të pavlefshme, Pjerin Ndreu sërish mbetet në avantazh, pasi ka një diferencë prej rreth 12 mijë votash.
Por përse ky ankimim i Partisë Konservatore u pranua, ndërkohë që edhe Bindja Demokratike me disa ankimime të saj ka kërkuar hapjen e kutive me akuzat se kanë votuar edhe persona që nuk janë ndodhur fare në Shqipëri?
Anëtari i KQZ-së i propozuar nga Partia Socialiste, Eridjan Salianji, sqaroi arsyet:
“Të paktën kjo forcë na ka evidentuar që në bazë të dokumentacionit zgjedhor që është vënë në dispozicion ekziston një mospërputhje aritmetikore dhe logjike e personave që kanë votuar dhe votave që janë në kuti. Dhe përderisa kjo mospërputhje ekziston, unë bashkohem me kërkesën. Me gjëra konkrete le t’i hapin kutitë në këtë komision. Pra ky Komision nuk duhet të jetë i mbylljes së kutive, por i hapjes së kutive dhe transparencës”, shtoi më tej Salianji.
LEXO TE NGJASHME