'Model suksesi'/ Meta, Basha dhe Pacolli urojnë eurodeputeten Arba Kokalari
Fitorja e shqiptares Arba Kokalari në Suedi si deputete në Parlamentin Europian ka sjellë reagimet e shumë shqiptarëve në të gjithë botën, por edhe politikës në Tiranë dhe Prishtinë. Presidenti Ilir Meta shkruan se ajo është një model suksesi. "Arba Kokalari, shqiptarja e parë eurodeputete, i bën të lumtur të gjithë shqiptarët dhe meriton mirënjohjen e tyre, jo vetëm si model suksesi në Suedi por edhe përfaqësimi dinjitoz në Europën e Bashkuar".
Ndërsa Lulzim Basha në mesazhin e tij thekson se ishte një natë historike për të gjithë shqiptarët. "Urova në telefon Eurodeputeten e parë shqiptare, shqiptaro-suedezen Arba Kokalari që u konfirmua pak çaste më parë si fituesja e mandatit të eurodeputetes për partinë e Moderatëve suedezë, simotrës tonë në Partinë Popullore Europiane! Natë e paharrueshme për Arbën dhe familjen e saj, natë fitore për Moderatët që konfirmuan 4 eurodeputetë dhe natë historike për të gjithë ne shqiptarët që inagurojmë me Arba Kokalarin praninë shqiptare në ulëset e Parlamentit Europian.
Krenar dhe i lumtur me fitoren e Arbës, ju shpreh mirënjohjen time të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Suedi që me votën e tyre e mundësuan këtë moment historik! Dua po kështu t’ju falenderoj me mirënjohje në emrin tim dhe të Partisë Demokratike, të gjithë ju bashkatdhetarë të nderuar në vendet e BE që me votën tuaj për partitë simotra të PD, rikonfirmuat Partinë Popullore Europiane si forcën e parë politike në Parlamentin e ardhshëm Europian! Shqipëria Si Europa" shkruan Basha.
Ndër të parët që e përshëndetën ishte ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli. “Tani kemi lajme të mira nga Suedia. Sapo është konfirmuar se Arba Kokalari me prejardhje shqiptare ka siguruar vendin e saj në Bruksel. Historike, sepse është eurodeputetja e parë shqiptare ndonjëherë. Urime”.
LEXO TE NGJASHME