Basha takon aleatët në selinë e PD
Kryetari i opozitës Lulzim Basha do të zhvillojë një takim me krerët e partive aleate në orën 10:30 në selinë e PD-së. Objekt i takimit do të jetë vijimësia e aksionit opozitar.
Takimi midis tyre vjen një ditë pas Letrës së Hapur që Kryeministri Edi Rama i drejtoi Bashës për t’i kërkuar Dialog për zgjidhjen e krizës politike, por që mori përgjigje të prerë nga Basha dje nga takimi i tij në Durrës dhe po ashtu me një mesazh në rrjetet sociale: "Fjalën vendimtare për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të plagëve që shkaktojnë këtë krizë, do ta kenë shqiptarët! - shkroi Basha në Fb. - Nuk do të ketë pakte kulisash, do të ketë një dialog kombëtar dhe në fund një vendimarrje me referendum nga populli. Asnjë hap pas!"
Ndërsa, nga takimi i Durrësit, lideri opozitar u përgjigj me këto fjalë:
"Para nesh janë dy dilema: kapitullim apo përballje deri në fitore. Edi Rama, kriminelët dhe oligarkët me të cilët uzurpoi pushtetin, vodhi zgjedhjet dhe po vjedh Shqipërinë, na propozojnë kapitullimin.
Edi Rama na propozon që me 30 qershor ne të bëjmë sehir, teksa ai bën një grusht shteti, një proces zgjedhor fallco, ku 1 milionë e 400 mijë qytetarë shqiptarë nuk kanë karta të vlefshme identiteti, pra kanë karta identiteti të skaduara, potencialisht 1,4 milionë fallsifikime, në një proces zgjedhor, ku serveri i regjistrit të gjendjes civile ka rënë dhe regjistri manipulohet nga mëngjesi deri në darkë, siç e dini fare mirë ju durrsakët, siç e bëri Dako në 2015-n, ku regjistri i adresave është bërë lëmsh nga manipulimet e sejmenëve të pushtetit.
Na propozon zgjedhje, ku kriminelë me damkë e trafikantë droge nga Artur Bushi tek Tërmet Peçi e dhjetëra të tjerë rikandidojnë, kur, në fakt, dekriminalizimi duhet t’i kishte nxjerrë nga dritarja e duhet t’i kishte çuar para drejtësisë. Na propozon të kapitullojmë para përzgjedhjes këtu në Durrës, të një asistent-hajduteje të Vangjush Dakos si kandidate për kryetare bashkie. Tani që Vangjush Dakon ka filluar ta përpijë vorbulla për ta çuar atje ku e kam paralajmëruar, para drejtësisë dhe prapa hekurave, e gënjen mendja se do t’i shpëtojë drejtësisë, duke bërë paktin me Ramën dhe duke mbajtur në këmbë prokurorinë e kapur dhe të shitur. Jo Vangjush Dako jo, Rama të gënjen. Fundi yt është siç të kam paralajmëruar, para gjyqtarëve, gjyqtarëve të pavarur, të ndershëm e të pakorruptuar, dhe prapa hekurave, për gjithçka që ke bërë mbi Durrësin dhe mbi durrsakët.
Na propozon Taulant Ballën dhe Damian Gjiknurin si rojtarë të zgjedhjeve, dy njerëz që po të hetoheshin, siç do të hetohen 339-a dhe 184-a, po kështu, do të jenë para togave të zeza të drejtësisë për të marrë dënimin e merituar. Dhe meqë ra fjala, keni rënë squk, ka 24 orë që kam kam denoncuar aktin kriminal, ku me urdhër të Edi Ramës, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, kanë ushtruar presion mbi 4 anëtarët e KQZ-së, që në mënyrë të kundërligjshme të mos regjistrojnë përfaqësuesit e opozitës në KZAZ. Gjithçka është në tabulatet e dorëzuara partnerëve ndërkombëtarë. Nuk keni shans, nuk keni shpëtim.
Pra, na propozon një proces të dalë tërësisht jashtë rregullave të Kodit Zgjedhor, në kundërshtim flagrant me ligjin, në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe mbi të gjitha të kriminalizuara edhe më shumë sesa zgjedhjet e 2017-s dhe zgjedhjet e 2015-s. Na e propozon, pra, kapitullimin na propozon që ne të ulim kokën e të pranojmë një tjetër proces fallc zgjedhor, kësaj radhe edhe pa garë, vetëm e vetëm për pushtetin e tij, për karrigen e tij, dhe për paktin që ka lidhur me krimin dhe me kriminelët.
Edi Rama me këtë propozim i shërben vetëm karriges së tij, vetëm pushtetit të tij dhe kriminelëve që e kanë sjellë në pushtet. Dhe për këtë arsye ka shkelur ligjin, ka shkelur kushtetutën, ka shkelur Kodin Zgjedhor dhe do që të shkelë mbi dinjitetin e çdo shqiptareje dhe shqiptari të ndershëm, mbi të ardhmen e fëmijëve tuaj, do që të sakrifikojë fëmijët e Durrësit, të rinjtë e Durrësit, pensionistët e Durrësit dhe të të gjithë Shqipërisë për pushtetin e tij korruptiv.
Ky është propozimi i Edi Ramës për 30 qershorin, kapitullimi i popullit para krimit, kapitullimi i popullit para bandave të bëra njësh me pushtetin.
Alternativa tjetër është alternativa e përballjes vendimtare deri në mposhtjen e kësaj bande, deri në fitore. Ky është kushtrimi me të cilët i kemi thirrur shqiptarët në këtë betejë, me 16 shkurt, kjo është kauza për të cilën dogjëm mandatet, më të pastrat, të vetmet të pastra, dhe u rreshtuam në krahun tuaj për kauzën tonë të njerëzve të thjeshtë. Ky është kushtrimi me të cilin shqiptarët janë bashkuar në dhjetëra takime madhështore, kjo është shpresa që po lind e po mbulon anembanë vendin, që ka ngritur në këmbë Shkodër e Vlorë, Tropojë e Berat, Durrës e Korçë.
Kjo është alternativa e përballjes në çdo qytet, në çdo shesh, në çdo rrugë, çdo ditë, çdo javë, dhe nëse tenton më 30 qershor zgjedhje fallco, zgjedhje me krimin, zgjedhje me hajdutët, përballje në çdo qendër votimi, në çdo kuti votimi," theksoi Basha.
Në Letrën e Ramës thuhej që në krye:" Zoti Kryetar, Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut!"
LEXO TE NGJASHME