Rriten në 72% tarifat ditore dhe javore të kompanive celulare
Operatorët e telefonicë celulare kanë shtrenjtuar muajin e fundit çmimet e ofertave për telefoninë me celular me parapagesë për paketat ditore dhe ato javore, ndërsa kanë mbetur të pandryshuara ato mujore.
Rritje kanë aplikuar të tre operatorët në treg. Ky shtrenjtim varion nga 50% për paketat ditore dhe në 67-72% për ato javore.
I pari ishte Vodafone i cili në fund të muajit janar rriti ofertën javore nga 300 në 500 lekë, me një shtrenjtim prej rreth 67%. Ndërsa paketa ditore u rrit nga 100 në 150 lekë, ose 50% më shtrenjtë.
Edhe Albtelecom shtrenjtoi në 14 shkurt paketat ditore dhe javore. Paketa ditore u rrit nga 100 në 150 lekë dhe ajo javore nga 300 në 500 lekë.
I fundit që reagoi ishte Telekom Albania. Paketa ditore u shtrenjtua dit?t e fundit nga 100 në 150 lekë dhe ajo javore nga 290 në 500 lekë (shtrenjtim 72%).
Tarifat e paketave të tjera mujore kanë mbetur të pandryshuara. Vodafone ofron paketa club 30 ditë, që luhaten nga 800-2,200 lekë, në varësi të minutave dhe internetit të përfshira në të (maksimumi i internetit të ofruar është 12 giga për paketat gold që kushtojnë 2,200 lekë në muaj).
Paketat 30 ditore të Telekom variojnë nga 800 në 2,000 lekë (maksimumi i interneti është 10 giga për paketën xlarge, që kushton 2,000 lekë).
Për Albtelecom, paketat 30 ditore luhaten nga 700 në 1,900 lekë (maksimumi i internetit është 12 giga për paketën super 1900).
Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) deri në fund të tremujorit të tretë kishte gjithsej 2.73 milionë përdorues aktivë të telefonisë celulare. Pjesa më e madhe e abonentëve, 47.3% përdorin operatorin Vodafone. Operatori i dytë është Telekom Albania, me 35.7% dhe në vend të tretë është Albtelecom me rreth 17% të tregut.
90% e përdoruesve përdorin karta me parapagim, ndërsa pjesa tjetër kanë kontratë me operatorët celularë, sipas të dhënave, që janë publikuar nga AKEP.
LEXO TE NGJASHME