KQZ pranon dorëheqjet e deputetëve, Kuvendi shpall 57 vende vakante
Në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndodhen tashmë dorëheqjet e 57 deputetëve opozitarë.
Kuvendi i cili të premten nuk kishte shpallur vakancat por kishte përcjellë vetëm dorëheqjet në KQZ, ka rregulluar gabimin pas një shkrese që sot paradite mori nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve. Në pasdite, Kuvendi korrigjoi të gjitha shkresat, duke shpallur 57 vakanca, përfshirë dhe dorëheqjen më të fundit të Fatmir Mediut.
Por brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shumica e anëtarëve i thanë Report TV se dorëheqja është tashmë një akt i njohur botërisht, ndaj shpejt, KQZ do të mblidhet të zëvendësojë 57 të dorëhequrit me kandidatët vijues në listë.
PD dhe LSI kanë grumbulluar disa firma kandidatësh të cilët shprehen paraprakisht se nuk e dëshirojnë mandatin, por ende nuk janë depozituar në KQZ. Edhe në këtë pikë, shumica e anëtarëve i shprehën Report TV vendimin për të mos i pranuar këto dorëheqje. Në argumentimin e tyre juridik, kandidati nuk mund të heqë dorë nga një mandat që nuk e ka.
Ndaj, thanë burimet, KQZ do tu japë mandatin kandidatëve vijues dhe më pas atyre ju lind e drejta e refuzimit, duke njoftuar shkresërisht institucionet, ose duke mos “u bërë i gjallë” brenda 30 ditëve, c ka sipas kodit i jep të drejtë KQZ-së të vijojë me kandidatët më poshtë në listë. Nga perceptimi i deritanishëm, në KQZ, ku është vendosur topi i kësaj loje të rrallë për historinë e parlamentarizmit, nuk ka asnjë vullnet për të zvarritur zëvendësimin. Kjo do të krijonte shpejt një panoramë të qartë të emrave të rinj nga listat opozitare që do të pranojnë të ulen në karriget opozitare parlamentare.
LEXO TE NGJASHME