Shkarkohet Drejtori i Burgjeve, Çipa
Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Stefan Çipa. Shkarkimi është bërë dje me urdhër të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Nuk dihen arsyet e shkarkimit, por mësohet se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë janë arrestuar sot nga Policia: Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, Aurel Lamçe; ish-Sekretarja e Përgjithshme Juliana Hoxha dhe dy specialistë të IT: Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.
Arrestimi ka ardhur për shpërdorim detyre, abuzime me tenderat e zhvilluar nga kjo ministri në vitet 2016-2017 dhe ku janë vërejtuar shkelje të mëdha. Ndër tenderat e kapur me shkelje janë dhe dy të lidhur me mbikqyrjen elektronike dhe sistemin e kamerave në burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës.
Stefan Çipa u emërua në këtë post më 3 shtator 2018, pas shkarkimit të Arben Çukos me argumentin: "Ky ndryshim bëhet për të përmirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë së brendshme dhe kontrollit si dhe rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve". Nga ana tjetër, paraardhësi i tij Çuko përfundoi në burg.
Cili është Stefan Çipa:
Stefan Çipa u lind më datë 20 Janar 1959, në Sarandë. Ka përfunduar studimet në Institutin e Lartë Bujqësor dhe për Shkenca Ekonomike. Në vitin 1991, zgjidhet Kryetar i Komitetit ekzekutiv pluralist në Sarandë.
Në zgjedhjet e vitit 1997, zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë për herë të parë, e më pas edhe në 2 legjislatura të tjera. Gjatë legjislaturës 1997–2002, ka mbajtur funksionin e zv/kryetarit të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare.
Në muajin shkurt 2002, emërohet Ministër i Rendit Publik, detyrë që e ushtroi deri në muajin gusht 2002. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, z. Çipa u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Sarandës, për një mandat 4-vjeçar. Më datë 13 Janar 2016, emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Më datë 03 Shtator 2018, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Ka njohuri të mira të gjuhës angleze dhe greke
LEXO TE NGJASHME