Zgjedhja e anëtarëve të KED, Kuvendi nis hedhjen e shortit
Kuvendi ka nisur hedhjen e shortit për zgjedhjen e nëntë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Në përbërjen e KED-së janë dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga administrativja. Ngritja e KED dhe bërja e këtij institucioni funksionale, pritet të plotësojë shtatë vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Shorti që po hidhet në sallën e Kuvendit është i hapur dhe po zhvillohet në prani të Avokatit të Popullit; përfaqësuesve nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë; përfaqësuesve të grupeve parlamentare; anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Monitorimit; përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare.
Presidenti Ilir Meta kishte afat për të hedhur shortin deri më datë 5 dhjetor por kreu i shtetit ashtu si edhe një vit më parë vendosi që të mos e hedhë shorteun pasi sipas tij ka një vakum ligjor.
Ruçi: E lexova me vëmendje letrën e presidentit, ndaj nxorra urdhërin për hedhjen e shortit
Akuzave të deputetit të PD, Oerd Bylykbashi, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi bën me dije se është konsultuar lidhur me letrën e dërguar nga presidenti Ilir Meta.
“E lexova me vëmendje letrën e presidentit. Jam konsultuar me përgjegjësi. Ndaj nxorra edhe urdhërin për të hedhur shortin,”- tha Ruçi.
Bylykbashi kundër shortit për KED: Në kundërshtim me ligjin, po uzurpohen kompetencat e presidentit
Hedhja e shortit për KED është kundërshtuar nga deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, i cili është i pranishëm në sallën ku edhe do të përzgjidhen nëntë emrat.
“Është në kundërshtim me ligjin hedhja e shortit. E thotë dhe presidenti. Mungon baza ligjore. Dispozitat tranzitore kanë vdekur. Kjo është hera e dytë që uzurpohen kompetencat e presidentit. Bllokuat dy herë funksionin e KED me pretendimin se s’mund të funksiononin pa kaluar Vettingun. Bllokuat ngritjen e Gjykatës Kushtetuese,”- tha deputeti i PD-së.
LEXO TE NGJASHME