PE voton pro integrimit të Shqipërisë: Bojkoti i opozitës, miratoni reformën zgjedhore

0.1flekeshtacin20516202582

Parlamenti Evropian ka votuar sot raportin e Raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, për Shqipërinë me 459 vota pro, 112 kundër dhe 62 abstenime. Raporti i miratuar sot mbështet rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor të vitit të ardhshëm. Në raportin e përgatitur nga Knut Fleckenstein me 48 pika dhe që mori aprovimin e eurodeputetëve njihen përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe progresin drejt finalizimit të hapjes së negociatave.

“Mbështesim plotësisht rekomandimin e Komisionit që të hapen negociatat e pranimit për Shqipërinë në qershor të 2019. Inkurajojmë Shqipërinë për të ruajtur ritmin e zbatimit të reformave. Mirëpresim miratimin e Kodit të Sjelljes së Parlamentit Shqiptar, i cili do të rrisë integritetin dhe transparencën e procesit parlamentar dhe besimin e publikut. Kërkojmë zbatimin e rekomandimeve të OSBE / ODIHR për zgjedhjet. Nevojitet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë me qëllim rritjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor. Reforma zgjedhore të adresojë pretendimet për financime të paligjshme të padeklaruara të partive politike.

Mirëpresim punën e Komitetit Ad-hoc për Reformën Zgjedhore të Parlamentit Shqiptar lidhur me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe votimin e emigrantëve. Reforma të miratohet me konsensus dhe në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të 2019. Kandidatët me probleme penale të përjashtohen nga listat dhe nivelet e qeverisjes” thuhet ndër të tjera.

Brukseli kërkon nga Shqipëria ngritjen sa më shpejt të institucioneve të drejtësisë dhe rikthimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë. “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zbatimi i të drejtave pronësore, varen nga suksesi i procesit i zbatimit të reformës gjyqësore. Kërkojmë nga autoritetet shqiptare që sa më parë të përfundojnë krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe të kthehen në funksion Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë”. Raporti shpreh shqetësimin për mos gjetjen e gjuhës së konsensusit nga klasa politike shqiptare për miratimin e ligjeve të tjera të reformës në drejtësi. Ndaj lidhur me lidhur me sfidat e reformaeve, Fleckenstein i ka bërë thirrje si maxhorancës ashtu edhe opozitës që bashkohen dhe të përballen së bashku.

Në këtë raport bojkoti i parlamentit nga opozita që prej verës së 2018-tës, cilësohet si një shqetësim i madh dhe kërkohet rikthimi i dialogut brenda institucioneve demokratike. Parlamenti Europian i bën thirrje opozitës që të rikthehet në Kuvend. “Ritheksojmë besimin e plotë se dialogu politik duhet të zhvillohet brenda institucioneve demokratike;  jemi të shumë të shqetësuar për bojkotin e procesit parlamentar nga opozita”.

PE përshëndet luftën kundër krimit, por kërkon vijueshmërinë e aksioneve. “Përshëndesim përparimet e bëra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në veçanti arrestimet e anëtarëve të grupit kriminal të Bajri dhe kërkojmë që të vazhdohen më tej me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme” thotë raporti. Gjithashtu Shqipërisë i kërkohet të forcojë masat për të shkatërruar dhe ndaluar burimet financuese për terrorizmin dhe të merret seriozisht me radikalizmin që përhapet online përmes internetit.

LEXO TE NGJASHME

0.3 lajme politike

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.