Kuvendi/ OSBE: Opozita të votojë Reformën Zgjedhore, jo bojkot
Ashtu si çdo të enjte është mbledhur sot në orën 10:00 Kuvendi i Shqipërisë. Edhe në seancën e sotme pritet të mungojë opozita, e cila që në fillim të këtij sesioni i ka bojkotuar punimet në Kuvend. Ndërkohë që ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë axhendë për ditën e sotme. Ndërkaq, në faqen zyrtare të Kuvendit është publikuar edhe rendi i ditës.
Një ndër pikat që do diskutohet sot është projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2017” si dhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Përmbrojtjen e konsumatorëve”. Ndërkohë vijojnë të jenë të mbartura nga seancat e kaluara, ligji për magjistratët dhe ndryshimet në Kodin Rrugor. Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt ka komentuar dje aktualitetin politik në Shqipëri, ndërsa i ka dërguar një mesash të drejt për drejtë opozitës shqiptare.
Gjatë një prononcimi për mediat, Borchardt i bëri thirrje Partisë Demokratike dhe partive të tjera të opozitës që të kthehen urgjentisht në Kuvend dhe të votojnë reformën zgjedhore.
Shoh që debati po bëhet gjithnjë e më i gjallë. Njëra nga palët ka paraqitur një draft dhe unë i nxis të gjitha partitë politike që tani të intensifikojnë diskutimet dhe të gjejnë një kompromis, në mënyrë që gjithsecili të japë këndvështrimin e tij politik për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Sikurse thashë, u kam bërë thirrje të gjitha forcave politike të gjejnë një kompromis për reformën zgjedhore. Kështu që për të votuar reformën zgjedhore, patjetër që duhen të Kthehen në Kuvend”.
Bernd Borchardt, ambasador i OSBE në Tiranë
Më tej, ambasadori zbuloi disa nga sfidat kryesore që OSBE/ODHIR ka propozuar për draftin e ri. Borchardt theksoi se janë plot 30 rekomandime, siç është depolitizimi i administratës zgjedhore.
Ekziston një listë e gjatë prej rreth 30 rekomandimesh, të cilat fillojnë nga depolitizimi i administratës zgjedhore, vazhdojnë me çështjen e famshme, ose, më mirë, të famshme për keq, të kronikave që përgatiten nga partitë dhe transmetohen sikur të ishin produkt i gazetarëve, si dhe disa rekomandime teknike. Mes tyre është edhe rekomandimi për ta hequr shpifjen nga Kodi Penal dhe për ta trajtuar vetëm me mjetet e parashikuara në Kodin Civil, të cilat ekzistojnë në Shqipëri. Ka edhe shumë rekomandime të tjera.
Bernd Borchardt
Duke komentuar idenë e projektit pilot për votimin dhe numërimin elektronik, ambasadori tha se është dakord nëse palët politike gjejnë konsensusin.
“Për votimin dhe numërimin elektronik, nëse partitë bien dakord, vendimi duhet marrë shumë shpejt. Kjo pasi këtu përfshihet procesi i prokurimit-makineritë janë të shtrenjta dhe ky proces merr kohë; makineritë duhet të përshtaten me nevojat e Shqipërisë; duhen instaluar dhe kalibruar si duhet. Po ashtu, duhet trajnuar administrata zgjedhore se si t’i përdorë, si dhe duhet bërë edukimi i zgjedhësve. Pra, është koha për ta marrë këtë vendim.
Bernd Borchardt, ambasador i OSBE në Tiranë
LEXO TE NGJASHME