Tensioni i vetingut/ Asnjë aplikim për organet e reja

0.5vetingu tension0125012

Mes anëtarëve të gjykatave të apelit duket se ka një pakt të heshtur për të bllokuar zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi pas ‘djegies’ së disa kolegëve të tyre nga veprimi i ligjit të Vetingut.

Mungesa e një kandidati në radhët e gjyqtarëve të gjykatave të apelit në rrethe, rrezikon të shtyjë pa afat ngritjen e drejtësisë së re në Shqipëri, duke bllokuar konstituimin e Këshilli të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organe të cilat do t’i hapin rrugën ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Një javë nga rihapja e garës për gjyqtarët të cilët ftohen për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë gjyqësor, asnjë gjyqtar nuk ka aplikuar.

E kontaktuar nga Report Tv, administrata e Gjykatës së Lartë, e cila më 22 gusht rihapi garën duke ftuar gjyqtarët të aplikojnë, konfirmon se kur kanë kaluar një javë nga kjo thirrje s’ka asnjë garues. Me anë të thirrjes së bërë më 22 gusht kërkohet një gjyqtar nga Apelet e rretheve që të garojë për t’u bërë pjesë e KLGJ-s, Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili me reformën në drejtësi zëvendëson KLD.

KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë nga të cilët 10 janë, ndërsa mungon një, pasi gjyqtari i Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva u shkarkua nga Vetting-u duke e lënë vendin vakant. Të drejtën për të garuar si pjesë e KLGJ-së e kanë gjyqtarët e Apelit të Vlorës, Shkodrës, Korçës, Durrësit, ndërsa ata të Tiranës nuk mund të kandidojnë pasi e kanë përfaqësuesin e tyre në këtë këshill. Pak ditë më parë ishte dhe ambasadori në ikje i SHBA-ve, Donald Lu që bëri thirrje gjyqtarëve guximtarë të garojnë për të zhbllokuar reformën me ngritjen e KLGJ-s.

Pavarësisht mesazhit të ambasadorit amerikan, asnjë gjyqtar nuk ka aplikuar për të zhbllokuar reformën në drejtësi në fazën më të rëndësishme të saj, ndërsa më 6 shtator 2018 është afati i fundit i aplikimit për gjyqtarët e apeleve në rrethe,

Alarm dhe frikë

Kohë më parë, disa gjyqtarë të Apelit, gjatë një mbledhje të KLD, bënë thirrje për t’u rebeluar kundër Vetingut. Gjyqtari Astrit Haxhialushi deklaroi se gjyqtarët janë shumë të fiksuar, ndërsa shprehu shqetësimin se sistemi është në rrezik.

Me të vërtet konstatoj, por edhe nga kontaktet që kemi me kolegët, se trupa gjyqësore me të vërtet ndihet totalisht e fyer, por njëkohësisht edhe e frikësuar. Drejtësia është një nga shtyllat themelore të funksionimit të një shteti demokratik. Alarmi i rrezikut të kapjes së sistemit gjyqësor nga politika, përbën rënien e drejtësisë në vend dhe kërcënon parimin e ndarjes së pushteteve pa të cilën shteti i së drejtës nuk mund të ekzistojë.

Tha Haxhialushi

Thirrja për rezistencë  

Anëtari Neritan Cena bëri thirrje për bashkim, rezistencë dhe qëndrim të koordinuar të institucioneve të gjyqësorit ndaj qeverisë “Rama”, duke ndjekur shembullin e Polonisë.

Marr shkas nga deklaratat që bëri z. ministër që, “të shohim, se do vijë koha, do t’i fusim në veting (vetting), a do ta kalojë njëri vetingun apo s’do ta kalojë tjetri vetingun”. Këto janë kërcënime haptazi dhe tentativa për kapje të pushtetit gjyqësor. Prandaj them që unë uroj sinqerisht dhe shpresoj sinqerisht që mos të jetë kjo arsyeja e bërjes së reformës në drejtësi sepse s‟ka më... edhe qytetari i thjeshtë që do vijë të kërkojë drejtësi, s‟ka për ta gjetur më me gjyqtarë të kapur. Thjesht ky është opinioni im. Prandaj them që gjërat vërtet duken shumë serioze. Polonia kishte marrë përmasa vërtet të jashtëzakonshme, gjë e cila edhe neve duhet të bëjmë kujdesin tonë dhe të tregojmë maturinë tonë lidhur me ato vendime që duhet të marrim gjatë veprimtarisë sonë.

Neritan Cena

Meshkujt braktisin Juridikun

Pas nisjes së Vettingut dhe shkarkimit të 21 gjyqtarë e prokurorë për mosjustifikim pasurie dhe kontakte me botën e krimit, meshkujt shqiptarë heqin dorë nga Fakulteti i Juridikut. Këtë konstatim e ka bërë dekani i këtij fakulteti, Artan Hoxha, i cili gjatë një konference për mediet sqaroi se nga 700 fitues, 614 prej tyre janë vajza.

Kemi një fenomen që nuk e kemi verifikuar vitin e shkuar dhe nuk kam të dhëna, por nga 6634 aplikime për 700 vende në Fakultetin e Drejtësisë, 614 janë vajza dhe 86 janë djem. Po na humbasin djemtë në fakultet, drejtësinë po e marrin në dorë femrat.

Artan Hoxha

E nisur nga këto shifra, Hoxha duke u habitur dhe vetë ka bërë një verifikim për statistikat e popullsisë, ku sipas tij raporti është 50 % meshkuj e 50 % femra, por aplikimet në fakultetin Juridik tregojnë se vajzat dominojnë.

Pata një shqetësim dhe u futa në ndarjen e popullsisë meshkuj-femra dhe del që ne jemi aty 2 milion e 800 e ca mijë, gjysma e popullsisë janë femra në raport me meshkujt, të cilët e kalonin me 700 mijë numrin e popullsisë në raport me femrat.

Artan Hoxha 

Ndërkohë, në sistemin aktual të drejtësisë nga afro 880 prokurorë e gjyqtarë vetëm 20 % e tyre janë zonja e zonjusha, ndërsa pjesa tjetër dominohet nga burrat.

LEXO TE NGJASHME

0.3 lajme politike

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.