Drejtësia e re/ 12 vende në kupolën e gjyqësorit, 16 kandidatë
Zyrtarizohen 16 kandidatë për 12 vende vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, dy organet më të rëndësishme të drejtësisë së re. Kandidatët, pjesë e grupit prioritar prej 57 subjektesh, kanë kaluar me sukses sfidën e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale, duke u konfirmuar në detyrë si prokurorë dhe gjyqtarë, por edhe duke u zyrtarizuar në të njëjtën kohë si kandidatë për anëtarë të kupolës së drejtësisë së re. Kandidatët për 6 vende vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor janë Medi Bici, Alma Brati, Ilir Toska, Nertina Kosova, Astrit Faqolli, Brunilda Kadi, Dritan Hallunaj, Manjola Xhaxho dhe Marcela Shehu. Kandidatët për gjashtë vende vakante për Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë Anila Leka, Antoneta Sevdari, Besnik Muçi, Dritan Prençi, Gentjan Osmani, Kostaq Beluri dhe Vat Staka. Për Këshillin e Lartë Gjyqësor ishin 13 kandidatë, por vetëm 9 prej tyre mundën të kalonin rrjetën e Vetingut, ndërsa për Këshilli e Lartë të Prokurorisë ishin fillimisht 18 kandidatë, por vetëm 7 kandidatë kanë kaluar deri më tani sfidën e Vetingut. KLGJ dhe KLP përbëhen nga 11 anëtarë. Nga pesë anëtarë, pra 10 gjithsej, janë zgjedhur nga parlamenti, ndërsa nga gjashtë anëtarë, pra 12 gjithsej, do zgjidhen nga gjyqësori në mesin e 17 kandidatëve të lartpërmendur.
Procesi i zgjedhjes
Gjashtë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të zgjidhen tashmë nga mbledhja e përgjigjeve e gjyqtarëve në të gjitha nivelet. Kryetari i Gjykatës së Lartë, në rastin konkret Xhezair Zaganjori thërret Mbledhjen e Përgjithshme të gjyqtarëve të të gjitha niveleve për të zgjedhur anëtarët e Këshillit. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ nga mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve është i fshehtë dhe individual. Në fund të procesit të votimit quhen të zgjedhur kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në qoftë se dy ose më shumë kandidatë kanë marrë të njëjtin numër votash, fituesi përcaktohet me short midis tyre. Nga ana tjetër, anëtarët prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhen nga mbledhja e përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve. Prokurori i Përgjithshëm, në rastrin konkret zonja Arta Marku thërret mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve të të gjitha niveleve për të zgjedhur anëtarët e Këshillit. Në fund të procesit të votimit quhen të zgjedhur kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në qoftë se dy ose më shumë kandidatë kanë marrë të njëjtin numër votash, fituesi përcaktohet me short midis tyre.
Rëndësia e KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë organet më të rëndësishme të drejtësisë së re, për shkak të kompetencave ligjore. Këshilli Lartë Gjyqësor bashkëpunon me Shkollën e Magjistraturës për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë si dhe emëron gjyqtarët pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës. KLGJ gjithashtu i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton rregullat standarde për funksionimin e brendshëm të gjykatave si dhe është përgjegjës për të shprehur mendime dhe për të bërë propozime lidhur me ndryshimet në legjislacionin, që mund të ndikojë në punën e gjyqësorit. KLGJ është përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit
me publikun, emëron kancelarin e gjykatës dhe ndihmësit ligjorë, si dhe merr masa disiplinore ndaj tyre, monitoron dhe menaxhon ngarkesën e gjyqtarëve. Këshilli i Lartë Gjyqësor është përgjegjës për çështjet e mëposhtme në lidhje me të gjithë gjyqtarët, përveç gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese: emërimin; caktimin në pozicion; tranferimin; ngritjen në detyrë; komandimin dhe riemërimin; vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale të gjyqtarëve.
Rëndësia e KLP
Të njëjtën rëndësi ka edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë në organin e akuzës. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është përgjegjës për emërimin, caktimin në pozicion, transferimin, ngritjen në detyrë, komandimin dhe riemërimin, vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale dhe vendosjen e masave disiplinore dhe pezullimin e prokurorëve. Këshilli është përgjegjës për miratimin e standardeve të etikës së prokurorëve dhe të rregullave të sjelljes të prokurorëve. Është përgjegjës për të shprehur mendime dhe për të bërë propozime lidhur me ndryshimet në legjislacionin që mund të ndikojë në punën e prokurorisë. KLP raporton para Kuvendit mbi gjendjen e sistemit gjatë vitit të mëparshëm kalendarik jo më pak se një herë në vit.
17 kandidatët për KLP dhe KLGJ
Alma Brati, Gjykata e Tiranës, kandidate për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Medi Bici, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë Tiranë, kandidat për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Ilir Toska, Gjykata e Apelit Tiranë, kandidat për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Nertina Kosova, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, kandidate për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Astrit Faqolli, Astrit Faqolli, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kandidat për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Brunilda Kadi, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kandidate për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Dritan Hallunaj, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, kandidat për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Manjola Xhaxho, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kandidate për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Marcela Shehu, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, kandidate për KLGJ, konfirmuar nga Vetingu
Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, kandidate për KLP, konfirmuar nga Vetingu
Antoneta Sevdari, Antoneta Sevdari, Prokuroria e Tiranës, kandidate për KLP, konfirmuar nga Vetingu
Besnik Muçi, prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, kandidat për KLP, konfirmuar nga Vetingu
Dritan Prençi, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, kandidat për KLP, konfirmuar nga Vetingu
Gentjan Osmani, Prokuroria e Krimeve të Rënda, kandidat për KLP, konfirmuar nga Vetingu
Kostaq Beluri, Prokuroria e Përgjithshme, kandidat për KLP, konfirmuar nga Vetingu
Vat Staka, prokuror në Prokurorinë e Shkodrës, kandidat për KLP, konfirmuar nga Vetingut
Drejtësia e re
Prokurori Dollapaj 4 shtëpi dhe dhurata, sot para Vetingut
Arben Dollapaj do njihet sot me rezultatin e verifikimit nga KPK, në 2016 u përplas me Adriatik Llallën
Prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, Arben Dollapaj, do të dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u njohur me rezultatet e hetimit të thelluar ndaj tij, për ligjshmërinë e pasurisë, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësinë profesionale. Trupa gjykuese përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici. Dollapaj është kandidat për anëtarë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Shqiptarja.com zbardh pasurinë e deklaruar të prokurorit Dollapaj që nga viti 2003, ku përfshihet edhe pasuria fillestare, deri në vitin 2017. Sa i takon pasurive të paluajtshme, prokurori deklaron se posedon katër banesa, tre prej të cilave pjesërisht. Në vitin 2003, prokurori deklaron një parlament banimi me sipërfaqe 60 m2, me vlerë 1 milionë lekë, ku posedon 1/5 e pjesës. Në vitin 2007, Arben Dollapaj deklaron një shtesë kati me sipërfaqe 113 m2 në banesën e vëllait të tij, me vlerë 1 700 000 lekë. Në vitin 2011, thotë se ka blerë një sipërfaqe banimi prej ½ e 113 m2 dhe tokë truall 157 m2, me vlerë 9 000 000 lekë. Si burim të ardhurash deklaron 5 000 000 janë kredi, 25 mijë USD borxh dhe 1 500 000 kursime. Në vitin 2013, prokurori deklaron një kontratë për rikonstruksionin e një shtëpie me sipërfaqe 88 m2 në Valbonë, Tropojë. Nuk ka të dhëna se sa është vlera e kësaj kontrate. Po gjatë vitit 2013, prokurori deklaron 2 mijë euro dhe 200 euro dhuratë nga familjarët. Sa i takon të ardhurave, Dollapaj deklaron pagën e tij si prokuror, pagën e bashkëshortes Entela Dollapajt si specialiste në ministri dhe pensionin e zonjës Fatime Dollapajt. Paga vjetore si prokuror është rreth 2 000 000 lekë, paga e bashkëshortes 500 000 lekë dhe pensioni 160 000 lekë. Gjatë vitit 2008, prokurori deklaron se ka kursyer nga këto të ardhura 1 400 000 lekë, gjatë vitit 2009 thotë se ka kursyes 2 100 000 lekë, ndërsa gjatë vitit 2010 1 600 000 lekë. Ditën e sotme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të prezantojë rezultatet e hetimit nëse pasuria e prokurorit Dollapaj është apo nuk është e justifikuar.
LEXO TE NGJASHME