SKANDALOZE/ Deputeti i CDU: Rama na propozoi ti marrë sirianët në Shqipëri
Nuk është Gjermania dhe as Austria që kërkon të sjellë refugjatë në Shqipëri, por është qeveria e drejtuar nga Edi Rama për ti marrë ata, e për të ja hequr këtë hall Europës.
Këtë e ka thënë në një intervistë për Dojçe Velle deputeti i CDU-së, Johann Wadephul. Duke folur për këtë çështje, ai e sheh pozitive ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri.
DW: Kemi një situatë të vështirë tani për Bashkimin Europian. Në këtë kontekst diskutohet edhe për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE. Pse është relevante Shqipëria?
Johann Wadephul: Shqipëria ka rëndësi dhe as më pak e as më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me të cilat Gjermania ndjehet shumë e lidhur. Deklarata e Selanikut ne i kemi parë seriozisht dhe jemi të bindur se këto vende janë pjesë bërthamë e Europës dhe se ne edhe premtimet që kemi bërë nga ana europiane duhet t'i mbajmë, edhe sepse konfliktet brenda jugosllave siç i kemi parë në vitet 90-të mund të rindizen në çdo kohë, e një proces i integrimit dhe anëtarësimit, siç ka ndodhur pjesërisht, pikërisht këto i ç’tensionon, prandaj kemi edhe një motivim të dyfishtë që të tregohet kujdes për këto vende.
Rekomandimi i grupeve parlamentare, CDU/CSU është formuluar me një qëndrim pozitiv për hapjen e negociatave duke përcaktuar qartë edhe hapat e mëtejshëm, si e komentoni ju?
Kemi nevojë për një vendim të Bundestagut. Këtë ne e kemi përgatitur prej vitesh dhe me shumë kujdes, ashtu si edhe për Serbinë. Në rastin e të dy vendeve, Bundestagu merr një vendim dhe qeveria gjermane që ka kontakt të ngushtë me të gjitha grupet parlamentare ka kërkuar të dijë se çfarë është e rëndësishme për ne. E rëndësishme për ne është që të themi Po, por edhe…Pra po, duhet të fillohet me bisedimet për negociatat, por…
Cilat janë këto ‘por’...
Ne kemi nevojë për një orientim më të qartë ndaj vlerave europiane në disa fusha, marrëveshja e koalicionit e thotë qartë, se kriteret duhet të plotësohen edhe në fillimin e negociatave, jo vetëm në anëtarësim. Kjo nënkupton një luftë më të ashpër kundër korrupsionit se deri më tani, se reforma në drejtësi duhet të vazhdohet më me vendosmëri se deri më tani, se duhet të ketë një reformë zgjedhore që kërkohet prej kohësh si nga KE por edhe nga OSBE. Këto janë tri fusha ku ne themi se Komisioni që zhvillon bisedime i ngarkuar nga BE duhet t'i shohë me vëmendje.
Në javët e fundit ndërkohë që përgatitej ky vendim kishte diskutime e zëra kritikë mjaft konkretë brenda CDU-së, ndërkohë që Partia Socialdemokrate ndoqi një kurs më të butë. Si e shihni këtë?
Ne ndjekim të njëjtat norma. Edhe në rastin e Maqedonisë, kur qeveriste partia partnere, VMRO-DPMNE ne kemi vendosur po ashtu kritere të qarta se çfarë duhej të bëhej në Maqedoni. Të njëjtat kritere europiane vlejnë edhe për Shqipërinë e këto kërkojmë që të zbatohen, pavarësisht se kush është në qeveri. Por kur ne regjistrojmë, se prej vitesh duhej të kryhej një reformë zgjedhore, dhe OSBE për shembull e ka thënë qartë, se cilat janë kriteret, unë pyes veten, pse kjo nuk bëhet. Ose kur prej kohësh flitet se duhet bërë një proces vetingu në sistemin e drejtësisë, janë 800 persona, por deri më tani janë verifikuar vetëm një grusht njerëzish, - unë shtroj pyetjen sa seriozisht është zhvilluar ky proces deri më tani në Shqipëri. Nuk ka të bëjë me përkatësi partiake, por me kriteret që ne presim që të respektohen. E nëse Europa e merr seriozisht, duhet që të plotësohen kriteret e rëndësishme për bashkëjetesën mes vendeve në BE.
Një person që u vendos në qendër të kritikave është ministri i Brendshëm i Shqipërisë, zoti Fatmir Xhafaj. Ju keni kërkuar në disa intervista shumë konkretisht, që ai duhet të përballet me akuzat, deri edhe dorëheqjen e tij. Të enjten zoti Xhafaj u takua me ministrin e Brendshëm gjerman, zotin Horst Seehofer. Më pas ai shkroi se gjithçka u zhvillua në konsesus të plotë. U vendos paqja?
Unë besoj se ministri i Brendshëm i Shqipërisë duhet të pyesë veten, nëse mund ta përmbushë detyrën plotësisht i pavarur. Vëllai i tij është ekspozuar ndaj akuzave. Dhe unë mendoj, se një person me një përgjegjësi të tillë duhet vetë të verifikojë, nëse mund ta kryejë detyrën i pavarur, nëse mund të drejtojë me përgjegjësi një proces në shtetin e së drejtës, kur ka akuza të forta, dhe kur vëllai i tij është përballur me procese në Itali. Qeveria duhet të vendosë vetë, nëse ai është personi i duhur që e vazhdon këtë detyrë. Unë kujtoj, se edhe ambasadori amerikan,që ka qenë mjaft miqësor ndaj qeverisë, në këtë rast ka ushtruar kritikë të fortë.
Ka pasur edhe politikanë gjermanë që kanë thënë se nuk duhet të flasim kolektivisht, sepse akuzat janë drejtuar kundër vëllait të tij…
Po sigurisht, kjo është e drejtë, unë nuk jam instancë gjyqësore që jap një vendim për këtë, por ju i referoheni një sekretari shteti gjerman dhe unë jam pak i habitur, që një anëtar i qeverisë t'i parashtrojë parlamentit se ç'duhet të bëjë dhe këtë ne nuk do ta pranojmë.
Ka për momentin diskutime, dhe këtu është kërkuar nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, se Shqipëria mund të angazhohej duke ngritur qendra pranimi refugjatësh për azilkërkuesit e refuzuar apo si stacion i ndërmjetëm për refugjatët në kontekstin e Frontex-it. Si e shikoni rrugën që po ndiqet?
Unë e shoh si një propozim interesant që më ka habitur, por mendoj se është një propozim i mirë, që duhet parë, kjo është një ofertë që mundësisht duhet edhe të realizohet. Ne e dimë se Shqipëria është treguar mjaft mikpritëse edhe në krizën e atëhershme në Kosovë, atëherë ishte një situatë tjetër, se bëhej fjalë për vëllezër e motra nga Kosova që flasin të njëjtën gjuhë e kanë të njëjtën kulturë. Në këtë rast do të ishte ndryshe, por si e thashë ky është një sinjal i mirë që duhet ndjekur.
Ky është edhe një propozim nga Austria, edhe nga presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk që Shqipëria të përfshihej më shumë e të mbështetej, e që do të ishte një zgjidhje jashtë BE-së, por brenda Europës. Janë më shumë teza se sa gjëra konkrete, çfarë do të bënit ju si CDU apo Gjermania për ta mbështetur këtë?
Ka dy gjëra, njëherë mendoj se qeveria shqiptare ofertën e ka serioze, dhe se verifikon kushtet juridike dhe teknike në vend për zbatimin, por nga ana tjetër edhe Komisioni Europian duhet ta mbështesë këtë masivisht, edhe financiarisht por edhe nga ana logjistike. Të dyja palët ndeshen me një detyrë jo edhe aq të lehtë, por ndoshta do të bëhet një detyrë e përbashkët. Ne jemi të hapur, mund ta përfytyrojmë këtë, e shohim një ofertë pozitive dhe Komisioni Evropian duhet të zhvillojë bisedime me Shqipërinë.
Intervistën e zhvilloi Adelheid Feiclke
Johann Wadepfuhl, deputet gjerman, anëtar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag
© SYRI.net
LEXO TE NGJASHME