Zbardhet vendimi/ Ja pse u shkarkua gjyqtari i Kushtetueses, Hoxha nga Vettingu
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e arsyetuar për shkarkimin nga detyra në datë 7 maj 2018 të gjyqtarit të Kushtetueses Fatmir Hoxha. Gjyqtari Hoxha nuk justifikonte pasurinë e tij, një pjesë të së cilës, avokati i tij, deklaroi se e ka vënë nga dasmat.
Në seancën dëgjimore të 7 majit, KPK arriti në përfundimin se gjyqtari Hoxha nuk justifikonte pasurinë, ndërsa nga hetimet rezultoi se gjyqtari i Kushtetueses ka një apartament 2+1, 112 m2 në Tiranë me vlerë 140 mijë e 450 euro, ndërsa ka marrë kredi si i pastrehë.
Pjesë nga vendimi i zbardhur i KPK për pasurinë e gjyqtarit Hoxha që u shkarkua
i)Ka deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin për burimin e krijimit të kësaj pasurie, pasi në Deklaratën “Vetting” nuk është deklaruar si burim huaja e marrë shtetasit A. G. në vlerën prej 28 500 euro.
ii)Subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar me dokumentacion, burimin e ligjshëm i krijimit, të shumës së marrë hua shtetasit A. G., në vlerën prej 28 500 euro, sipas nenit 32 pika 4 të ligjit nr. 84/2016/
iii)Ka mospërputhje midis shumës së të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2011 në masën që shpenzimet tejkalojnë të ardhurat me 175,521,23 lekë, shumë e cila nuk është shpjeguar në mënyrë të arsyeshme.
iv)Subjekti i rivlerësimit ka fshehur duke mos e deklaruar shumën prej 330.000 lekë, gjendje në llogarinë depozitë të bashkëshortes nr. *** pranë bankës së nivelit të dytë në deklaratën periodike vjetore të vitit 2003
Aktualisht në pritje të vendimit të Vettingut është kryetari i Kushtetueses Bashkim Dedja, ndërsa vetëm Gani Dizdari ende nuk ka kaluar në proces. Nga të gjithë anëtarët e Kushtetueses vetëm Vitore Tusha kaloi Vettingun, ndërsa gjykata prej disa muajsh nuk ekziston, pasi është e bllokuar.
LEXO TE NGJASHME