Opozita 4 orë në 'Bulevard' sot, largimi i ministrit Fatmir Xhafa

0.3protesta3020125151

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të organizojnë sot një protestë, para Kryeministrisë, me qëllim rrëzimin e qeverisë ‘Rama’ dhe krijimin e një qeverie të përbashkët anti-mafia. Protesta është rrjedhojë e reagimit të përshkallëzuar të opozitës par publikimit prej saj të audiopërgjimit, me protagonist (sipas PD) Albert Veliu i njohur edhe ‘Babalja’ apo 'dëshmitari X' dhe Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ku bisedojnë për dërgimin e një sasie hashashi drejt Italisë.

Me anë të kësaj proteste, opozita shqiptare synon që të detyrojë kryeministrin Edi Rama që t’i hapë rrugë një qeverie anti-mafia. Në këtë kuadër, një ditë para protestës së opozitës, kreu demokrat, Lulzim Basha, ka thirrur në zyrën e tij të gjithë aleatët. Basha ju ka përcjellë porositë e fundit aleatëve, ku të pranishëm ishin dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj force politike, Petrit Vasili. Këto janë lëvizjet e fundit të opozitës së bashkuar para protestës, ku krerët e dy partive kryesore opozitare, Basha dhe Kryemadhi, bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive në aksionin e të shtunës. 

PD ndryshon mendje, cakton orarin
Partia Demokratike ka ndryshuar mendje sa i takon orarit të protestës. Në kërkesën e parë drejtuar policisë, PD nuk kishte caktuar në orar për përfundimin e protestës. Mbrëmjen e djeshme, sipas burimeve për Report Tv nga Policia e Tiranës, opozita e ka ridërguar duke saktësuar se do të zgjasë katër orë. Por nga PD e mohojnë një gjë të tillë. Dy ditë më parë u përfol në rrethet mediatike dhe politike se protesta mund të zgjaste pa limit, për shkak se në kërkesën e parë të opozitës drejtuar policisë, nuk përcaktohej një orë për përfundimin e saj.  

Basha mesazh qytetarëve  
Një ditë para protestës së opozitës, kreu i PD, Lulzim Basha, ka përsëritur thirrjen për të gjithë qytetarët që t’i bashkohen aksionit opozitar nesër në kryeqytet. Përmes një statusi në ‘Facebook’, Basha shkruan se ‘ata’, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij, pasurohen duke grabitur Shqipërinë me koncesione dhe tendera. Duke e shoqëruar mesazhin e tij me një video, kryedemokrati ju drejtohet qytetarëve, duke ju thënë se është në dorën e tyre për t’i larguar më 26 maj.

“Ata pasurohen duke grabitur Shqipërinë me koncesione dhe tendera. Është në dorën tonë t'i largojmë! #26maj”, shkruan Basha.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama ka pohuar se në protestë mund të dalë kush të dojë, por duke ruajtur vijat.

“Zgjedhja është e lirë, secili bën atë që do. Fatmirësisht, koha kur shkohej në protestë dhe nuk ktheheshe në shtëpi, por ktheheshe në morgun e spitalit në Tiranë, ka vdekur. Koha kur shkoje në protestë dhe ktheheshe në ilegal, me brinjë të thyera, që mos të të kapnin më mbrapa, pasi të kishin shkatërruar me shkop e me shkelma në mes të rrugës, ka vdekur. Në protestë mund të dali kusht të dojë. Nuk e prek kush me dorë, sigurisht duke ruajtur vijat. Por pyetja këtu nuk është protesta”, ka pohuar kryeministri. 

LEXO TE NGJASHME

0.3 lajme politike

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.