Mbyllet “samiti” i Korçës. U diskutua për pronat, minoritetin dhe detin
Në deklaratë thuhet se “ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, zhvilluan bisedime në Korçë më 19-21 janar 2018, duke u fokusuar në çështjet bilaterale. Ky takim ishte vijim i takimit që u zhvillua në Kretë nëntorin e kaluar dhe të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat evropiane”.
Deklarata mbyllet me fjalët se diskutimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive. Të dyja palët përsëritën angazhimin e tyre për të ndjekur më tej dialogun në të gjitha nivelet në muajt në vijim.
Deklarata nuk jep detaje në lidhje me temat, ndërsa më herët ishte ministri Ditmir Bushati që tha se temat ishin ato që u bënë publike më herët: “Nuk ka asgjë sekrete, pasi temat janë thënë publikisht nga të dyja palët, thjesht jemi në shtjellim”.
Burime të besueshme treguan për Top Channel se tryeza e bisedimeve e kishte një axhendë të qartë. Sipas tyre, ditën e parë palët ishin fokusuar te çështjet shqiptare, siç janë ato për pronat e Kishës Ortodokse dhe statusi i tyre aktual. Të shtunën është diskutuar për problematikat e minoritetit grek në jug të vendit, ndërsa pala shqiptare ka kërkuar heqjen e pengesave për lëvizjen në kufi drejt Greqisë të komunitetit çam.
Sërish është diskutuar për çështjen më të nxehtë të aktualitetit, për kufirin detar, për të cilin thuhet se mund të ketë një marrëveshje brenda muajit prill. Marrëveshje e cila mund të jetë pjesë e axhendës së takimit të pritshëm Rama-Tsipras.
LEXO TE NGJASHME