Piramida do të kthehet në qendër shumëfunksionale
Për të dytin vit rradhazi, nisma “Një ditë në bashkinë e Tiranës” ka pritur afro 400 gjimnazistë e studentë që të ndjekin punën e përditshme të drejtuesve në të.
Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi një traditë të shkelqyer falë së cilës janë frymëzuar projekte konkrete mbi të rinjtë.
“Një nga idetë që na u dha vjet e që do ta fillojmë javën tjetër, është që studentët që vijnë në Tiranë, kanë nevojë për një orientim. është që për studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë, të ketë një sens orientimi. Është një ankth i cili të merr javë, derisa të adoptohesh me jetën në Tiranë. Kjo është arsyeja pse po bejme javen e orientimit për të gjithë studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë”, tha Veliaj.
Por meqë të rinjtë kanë nevojë për aktivitete sociale u pa e udhës që Piramida, nga një vepër e harruar të kthehet në një qendër shumë funksionale.
“Prona më e shtrenjtë e Tiranës është si një karkasë e vdekur në mes të bulevardit, që është Piramida. Kështu që aty na lindi ideja: A mund ta rikonstruktojmë Piramidën? Pra ta bejme me teatër, filma, me bibliotekë, me kurse digjitale, pra të kodimit, apo të programimit, që dikush mund t’i ndjekë pa qenë detyrimisht profesionist në atë fushë. Kjo është iniciativa që morëm këtë vit dhe do e buxhetojmë që ta transformojmë”, u shpreh kreu i bashkisë më tej.
Ai i ftoi të rinjtë të japin kontributin e tyre konkret nëpërmjet punës vullnetare.
“Ne besojmë shumë tek vullnetarët dhe tek puna vullnetare. Ne kemi të atashuar 500 vullnetarë vetëm këtë vit për maratonën e Tiranës. Nëse doni të jeni vullnetarë edhe nëse nuk do të vraponi me mua, atëherë mund të na ndihmoni duke qenë entuziast dhe duke inkurajuar të gjithë ata që po vrapojnë për qytetin. Është një mundësi fantastike”, tha Veliaj.
Të rinjtë vullnetarë janë angazhuar tanimë prej kohësh për të ndihmuar ne kalimin e këmbësorëve pranë shkollave çdo mëngjes.
“Siç keni vënë re në shumë prej kryqëzimeve të shkollave janë vullnetarë. Një ide e dhënë nga të rinjtë vitin e shkuar dhe po e implementojnë vet për të ofruar më shumë siguri sidomos në orët e para të mëngjesit ku dhe ka trafik edhe ku ta pranojmë nuk janë të gjithë shoferët mirëkuptues”, përfundoi kreu i bashkisë së Tiranës.
LEXO TE NGJASHME