Ekonomia, drejtësia dhe integrimi, tri shtyllat e “Rama 2”
Zbulohet programi qeverisës 2017-2021, i përmbledhur në 28 faqe dhe i ndarë në 4 kapituj, që kryeministri Rama do të prezantojë të hënën në Parlament përpara 140 deputetëve.
Programi nis me një bilanc të asaj çfarë është bërë gjatë mandatit të parë 4-vjeçar dhe me piketat kyçe të qeverisë “Rama 2”, e cila në qendër të vëmendjes ka zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi.
Programi ka të detuajara strategjitë dhe objektivat në fushat kryesore, duke nisur nga ekonomia, pasi në këtë mandat të ri qeverisës synohet të thellohet rritja ekonomike 5.5-6%, ulja e borxhit publik nën nivelin 60%, rritja e punësimit, e pagave dhe e pensioneve, reduktimi i nivelit të varfërisë, reforma tërësore në sistemin e ujit të pijshëm, rilindja rurale, përmirësimi i arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës, nxitja e turizmit dhe ajo që ka qenë kryefjalë e fushatës zgjedhore: lehtësimi i shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjen.
Pika e parë në programin qeverisës 2017-2021 është ekonomia, ku vendin kyç e zë paketa “Një miliard”, ku do të injektohen më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi. Pjesë e saj është edhe programi për bujqësinë, mjedisin, infrastrukturën dhe transportin, ku ndër projektet prioritare të qeverisë renditen Korridori Adriatiko-Jonian, ndërtimi i Rrugës së Arbrit, akset Fushë Krujë - Shkodër dhe Thumanë - Kashar, si dhe disa “bypass”-e. Turizmi shihet gjithashtu si prioritet për 4 vitet e ardhshme, ku qeveria synon të konsolidojë 4 destinacione turistike kombëtare: Alpet shqiptare, Jugu i ri, portet e marinat, si dhe Tirana.
Qeveria ka ndarë në disa shtylla kryesore fushën e drejtësisë, e cila nis me jetësimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa objektiv mbetet edhe rritja e performancës së Administratës Publike.
Kryeministri thotë se, 2017-2021 do të jetë mandati i investimeve të mëdha në arsim, ndërsa programi për shëndetësinë dhe kujdesin social vjen nën moton “Shëndet për të gjithë”.
Një tjetër kapitull i rëndësishëm, që përmbyll programin qeverisës, është ai i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Integrimit europian dhe shqiptarët në botë. Përmes këtij programi synohet fillimi sa më parë i procesit të negociatave për anëtarësim dhe përmbylljen e kapitujve kryesorë, ku theksohet se shërbimi diplomatik do të jetë në pararojë të këtij procesi.
LEXO TE NGJASHME