Rama fton shqiptarët, nis turin e dëgjimit
Turi i dëgjesave dhe falënderimeve ka nisur në të gjithë Shqipërinë. Dhe një nga prioritetet e drejtuesve të PS në qarqe por dhe vetë kryeministrit Rama, do të jetë administrata shtetërore.
Duke rrëfyer mes rreshtave historinë e një prindi, arsimuar në Shtetet e Bashkuara, me disa eksperienca pune me misione në bankën Botërore dhe Europë që tregon gatishmërinë për të kontribuar me dijet e tij për Shqipërinë, kryeministri Rama ka ftuar edhe një herë qytetarët qe ti bashkohen platformës “Shqipëria që duam”, duke shkruar në adresën e posaçme vënë në dispozicionshqiperiaqeduam@kryeministria.al ose përmes faqes në facebook të kryeministrit, në seksionin e platformës së re qeverisëse me njerëzit e zakonshëm.
Edi Rama fton çdokënd që ka një shkollim të besueshëm, jashtë a brenda vendit, një eksperiencë të suksesshme, jashtë apo në Shqipëri dhe ka brenda vetes ndjenjën e tërheqjes drejt fushëbetejës së këtij mandati të ri, për të bërë shtet me punë e mirëqenie, të mos ngurrojë ta shprehë interesin e tij.
Skuadra e shënimeve pranë kryeministrit do të sigurojë më pas vendosjen e një kontakti. Të presim e të shohim, përfundon kryeministri. Paralelisht, 12 drejtuesit e PS në qarqe gjatë turit 1 mujor dëgjimor dhe falenderues, do të mund të përpilojnë raporte dhe analiza për prioritetet e qytetarëve.
“Falenderoj PS, kryesinë e PS dhe Edi Ramën për gjithë besimin që më ka dhënë. Faleminderit të gjithë skuadrës fituese të socialistëve. Faleminderit që më keni dhënë kaq shumë besim pasi edhe ju e dini tani që vetëm PS mund ta bëjë Shqipërinë shtetin që ne duam”, shprehet Mimi Kodheli.
Edhe drejtuesi i qarkut të Elbasanit Taulant Balla turin e dialogut me qytetarët e nisi me falenderim dhe premtimin për ripërtëritjen e administratës shtetërore.
“Të gjitha strukturat e PS, nga sot e tre muaj me radhë do të merren me një analizë të thellë të rezultatit, pritshmërive dhe faktorëve. Në 25 Qershor ne fituam besimin e shqiptarëve dhe nuk do ta zhgënjejmë atë. Tepsinë e byrekut do ta kthejmë përmbysë, nuk ka më tepsi. Administrata do të jetë në bazë të meritës, në bazë të përformancës dhe kur flasim për meritë aty përmblidhen të gjitha", tha Taulant Balla.
Por si do të funksionojë për 4 javët e ardhshme turi dëgjimor dhe falenderues i socialistëve? Në të do të përfshihen të gjithë kandidatët, pjesë e garës së 25 qershorit, fitues apo edhe ata që mbetën jashtë parlamentit. ata do të ndalen në cdo fshat e qytet për të ndjekur problemet e sugjerimet, për të përpiluar në muajin gusht një raport gjithëpërfshirës, që do të jetë më pas pjesë e axhendës së 5 grupeve të punës, për t'u prezantuar në fund të gushtit në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.
LEXO TE NGJASHME