Veliaj, plan modern për kopshtin zoologjik
Bashkia e Tiranës thotë se ka një plan ambicioz për ndërtimin e një kopshti zoologjik modern. Kalimi në administrim të saj edhe të kopshtit botanik, do të vërë në funksionim strategjinë e saj për t’i lidhur me anë të një tuneli.
Kopshti i ri zoologjik do të ketë kafshë të reja, gjirafa, kangurë, lama, dhe një ambient më të përshtatshëm për kafshët që rriten në Shqipëri, si ujku, ariu apo edhe shqiponja. Veliaj ka një mesazh edhe për skeptikët.
“Fillimisht histeria dhe ulërima e këtyre gjithologëve që bëjnë sikur janë edhe botanistë, edhe urbanistë, edhe teknikë, edhe hidraulikë, edhe elektriçistë, edhe inxhinierë dhe në fund fare, janë në fakt, mjeshtra të punëve të kota, se vetë nuk bëjnë asnjë punë. Kur e kishin Tiranën, nuk ngulën asnjë gozhdë dhe tani të japin mend se si duhen bërë këto punë”, tha Veliaj.
Kreu I bashkisë sulmoi të gjithë ata që dhanë leje ndërtimi, duke cënuar rëndë hapësirat e kopshtit zoologjik dhe botanik në Tiranë dhe që sot kandidojnë për partinë demokratike, për t’u zgjedhur deputetë.
“Mjafton të shikoni pallatet, që i kanë ardhur në buzë parkut. Mjafton të shikoni pallatet që i kanë vajtur në buzë kopshtit botanik dhe e kanë ngrënë dhe do të kuptoni se na fakt, një sfidë e madhe është se si ne midis këtij kontrasti (kontrastit urban të zonave rezidenciale dhe kontrastit të një ekosistemi, të florës dhe të faunës), mund të arrijmë të prodhojmë diçka të bukur, duke marrë parasysh që nuk e zhbëjmë dot. Ne e dimë fare mirë se kush e ka menaxhuar zonën e Farkës, ne e dimë fare mirë si janë dhënë ato leje. Sot i keni sërish kandidatë për deputetë, po ata kryetarë komunash që bënë këtë histori”, u shpreh Veliaj.
LEXO TE NGJASHME