Fushata/ Kandidatët takim me banorët e zonave

Saimir Tahiri ka vijuar me kritikat ndaj LSI-së dhe partive të tjera të vogla, duke u bërë thirrje banorëve të Katundit të Ri në kryeqytet, që mos të votojnë këto parti.
“Po miqtë e mi, në qoftë se ju vijnë këto lloj partish e partiçkash e kandidatësh me lloj-lloj ofertash për para, për benefite, për leje shtëpie, për legalizime, për bursën për djalin, për shkollën për vajzën, merrjani çfarë t’ju japin, votën mos ia jepni. Merrjani çfarë t’u japin votën mos ua jepni. Se praktikisht nuk po ju bëjnë ndonjë nder. Praktikisht po iu kthejnë borxhin. Ju kanë borxh. Ju kanë 25 vjet borxh, po ua kthejnë këtë borxh. Borxhin po ju kthejnë. Po ju kthejnë borxhin, t’ju skllavërojnë atë ditën e zgjedhjeve që për katër vitet e ardhshme t’ju rrjepin prapë. Këtë duan të bëjnë, kështu që mos e lejoni”, tha Saimir Tahiri.
Damian Gjiknuri është ndalur në Fshatin Risili të Shushicës, ku veç atij që tha se është premtim i mbajtur për rrugën, mandatin e ardhshëm, theksoi se fokusi do të jetë tek bujqësia.
“E di se ka shqetësime edhe për bujqësinë herë pas here, sidomos për mënyrën se si jepen subvencionet. Ne, në një qeverisje të vetme të Partisë Socialiste, qeverisje të plotë ndaj themi se duam 71 mandate, duam që edhe skemat e subvencioneve në bujqësi të jenë transparente. Pra, fshati juaj ta dijë se kush përfitoi dhe sa përfitoi. Kërkojmë 71 mandate për ta qeverisur siç duhet këtë vend. Nëse se bëjmë mirë këtë punë, do jemi të parët që do ndëshkohemi nga njerëzit siç marrim edhe angazhimet”, tha Gjiknuri.
Në takim me metalurgët e Elbasanit, Taulant Balla premtoi që ai do të jete iniciator i ligjit të ri për statusin e metalurgut.
“Duke qenë se tashmë gjërat duken qartë që pas 25 Qershorit do të kemi një qeveri të drejtuar tërësisht nga PS pa u dashur që timonin ta ndajmë me të tjerë, unë jam shumë i sigurtë që do t'i japim fund një historie pritjeje kaq shumë vjeçare, po të kemi parasysh që statusi i metalurgut dhe ai i minatorit ka të bëjë edhe me ata që sot jnë në punë. Ne kemi plot punë për të bërë përsa i përket pensioneve të posaçme që përfshijnë në vetvete statusi, por duke nisur nga një situatë e mirë ekonomike që tashmë kemi ne do ta konkludojmë me një trajtim siç e meritoni të dashur metalurgë dhe metalurge", tha Balla.
Vangjush Dako, i shoqëruar nga kandidati për deputet Jurgis Çyrbja, u takuan me banorët e zonës së Shën Vlashit. Dako kërkoi besimin e banorëve në mënyrë që reformat e nisura këtë mandat të vijojë.
“Duhen katër vjet të tjera për të vazhduar këto reforma, për të transformuar Shqipërinë, për të vazhduar për të patur më tepër punë, më shumë mirëqenie, për një shtet të së drejtës, për një Shqipëri që duam. Do t’ju kërkoja votën për Edi Ramën, votën për Partinë Socialiste sepse kjo është votë për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Dako.
LEXO TE NGJASHME




















