KQZ: Tom Doshi mund të marrë pjesë në zgjedhje
“KQZ vendosi unanimisht që ta rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, duke e lejuar deputetin Tom Doshi që të kandidojë në 25 qershor”.
Si rrallëherë, KQZ ishte unanime në vendimin për të lejuar deputetin Tom Doshi që të kandidojë në zgjedhjet e qershorit, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, sipas së cilës, deputeti i cili në 25 qershor garon për PSD në Shkodër, ka patur një dënim në vitin 1990 dhe preket nga ligji i dekriminalizimit.
Gëzim Veleshnja kërkoi që çështja t’i rikthehet edhe një herë për material shtesë organit të akuzës, por anëtarët e tjerë të mazhorancës dhe opozitës e kundërshtuan këtë kërkesë me arsyetimin se KQZ e ka verifikuar më herët pastërtinë dhe integritetin e figurës së deputetit Doshi.
Në mbledhjen e parë të KQZ-së pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha dhe të drejtuar nga Klement Zguri, palët në komision, por edhe përfaqësuesit e partive politike u dakordësuan për çdo pikë të rendit të ditës. Ajo çka ra në sy ishte urimi për kryetarin e ri dhe mungesa e paraardhësit të tij Denar Biba.
LEXO TE NGJASHME