“Nuk e shes Ukrainën”, Zelensky refuzon propozimin e Trump për mineralet e rralla
Volodymyr Zelenskyy ka kundërshtuar kërkesën e Donald Trump për një marrëveshje që do të lejonte SHBA-në të merrte një përqindje të mineraleve të rralla të Ukrainës, në këmbim të ndihmës ekonomike prej 500 mld dollarësh.
Në një deklaratë të dhënë këtë të mërkurë, Zelensky tha se “ai nuk mund ta shesë vendin e tij”.
Presidenti i Ukrainës e cilësoi këtë ide si “një bisedë të paqartë dhe jo serioze” dhe shtoi se ai ishte i gatshëm të punonte për një “dokument serioz”, nëse SHBA do t;i jepte garanci sigurie.
“Dakord, le të bëjmë një marrëveshje, le të ndajmë investimet… por ne kemi nevojë për garanci sigurie”, tha Zelenskyy.
Ai gjithashtu theksoi se nuk do të bëhej pjesë e një marrëveshjeje që nuk respektonte kushtetutën dhe ligjet e Ukrainës.
Duket se marrëdhënia mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky po shkon drejt krisjes.
Tensionimi i marrëdhënieve erdhi pas deklaratës së Trump të martën, ku fajësoi Ukrainën për nisjen e luftës.
Zelensky në kundërpërgjigje këtë të mërkurë, kritikoi presidentin Trump duke thënë se ai është “i bllokuar në një flluskë dezinformimi”.
Deklarata iu referua pretendimeve të Trump se vlerësimi i miratimit të presidentit ukrainas është vetëm 4%. Zelenskyy tha se ky pretendim ishte një dezinformatë që vjen nga Rusia dhe se Ukraina ka prova që tregojnë se shifrat janë diskutuar në takimin mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë.
“Ne e pamë këtë dezinformim. E kuptojmë se vjen nga Rusia. Ne e kuptojmë dhe kemi prova që ato shifra janë diskutuar midis SHBA-së dhe Rusisë,” tha Zelenskyy.
LEXO TE NGJASHME