Çfarë duhet të dini për Sulltan Nevruzin, ritet dhe gatimet tradicionale të festës
Sot në vend festohet Sulltan Nevruzi, festa më e rëndësishme e besimtarëve bektashinj. Fillimisht festohej si festa e ardhjes së pranverës dhe më vonë si ditëlindja e imam Aliut. Kjo festë zgjat tri ditë. Besimtarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas luten dhe falen. Ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë. Në mëngjes, për besimtarët dhe të gjithë të pranishmit, shpërndahet qumësht dhe sherbet, që simbolizon pastrimin e trupit dhe shpirtit. Këto dy pije konsiderohen pije parajse. Ceremonia e festës vazhdon me hyrjen në tyrbe, ku bëhen lutje.
Ritet dhe gatimet tradicionale të festës
Besimtarët gostiten me ëmbëlsira të shumëllojshme, për të treguar dashurinë që kanë për njëri-tjetrin dhe bujarinë e tyre. Ata duhet të ndihmojnë të varfrit dhe personat që janë në vështirësi duke ju falur ushqime ose të ardhura. Nëse nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, duhet të luten për njerëzit që vuajnë. Në këtë ditë feste bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose bimë të tjera.
Vendosin nëpër portat e shtëpive degë thane ose ulliri. Një rit interesant është dhe varja e veroreve të Ditës së Verës në degët e trëndafilit ose të shegës. Në mëngjes duhet pirë qumësht dhe duhet bërë sherbet, sepse këto dy pije quhen pije parajse. Në këtë ditë bektashinjtë gatuajnë disa ushqime karakteristike, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Për Sulltan Nevruz bektashinjtë gatuajnë byrek me 12 lloje të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës kanë një rëndësi të veçantë, sepse simbolizojnë jetën e re, që çel në pranverë dhe begatinë. Në byrek futet edhe një monedhe metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe i jepet secilit prej anëtarëve të familjes.
Ai që gjen monedhën në pjesën e tij konsiderohet njeri me fat dhe se do të ketë një vit të mbarë dhe të begatë. Në këtë ditë gatuhet edhe përshesh me pulë ose me mish qengji. Për Sulltan Nevruz besimtarët duhet të therin kurban. Në tryezat e tyre nuk mungon mishi i pjekur. Ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste është sultiashi. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës; orizi, që simbolizon drithërat dhe bollëkun, dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe. Si ëmbëlsirë mund të gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). Në zonat fushore bëhet edhe kulaç me petë që fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk në familje.
LEXO TE NGJASHME