Safet Bajri flet për përplasjet në Rranxë dhe në Dobraç: Makinat e blinduara janë të miat

 640 0 67b7068adacda

Forcat RENEA i zbarkuan në banesën e tij në orët e para të mëngjesit të 18 Shkurtit, por ai nuk u gjend aty. Bëhet fjalë për Safet Bajrin, një prej krerëve të bandës së “Bajrave” në Dobraç të Shkodrës.

Burime bëjnë me dije se veç kontrollit të banesës, me urdhër të GJKKO-së ai do të shoqërohej edhe në Polici, ku do t’i merrej ADN-ja, pasi autoritetet kërkojnë që ta krahasojnë me një profil ADN-je që është zbuluar në një nga ngjarjet e rënda në Shkodër.

Por, teksa RENEA e kërkonte në Dobraç, Safet Bajri është shfaqur papritur mbrëmjen e djeshme në një lidhje “live” në emisionin “Top Story”, ku pas krahëve të tij kishte portretin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe flamurin turk. Ai deklaroi se vendosi të ndërhynte në emision, pasi pretendonte se gazetarët po hidhnin “baltë” ndaj tij, pa të drejtë.

Rrëfimin e tij, Safet Bajri e nisi me ngjarjen e regjistruar më 23 gusht të vitit 2024 në fshatin Rranxë të Vaut të Dejës, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes Izmir Sakicës, Samuel Troshanit, Franko Lekajt dhe personave të tjerë të paidentifikuar dhe dy vëllezërve Andrea dhe Aleksandër Prendi.

Për ngjarjen në fjalë, GJKKO me urdhër të SPAK firmosi 4 masa sigurie “arrest në burg” përIzmir Sakicën, Samuel Troshanin, Franko Leka dhe Aleksandër Prendin. Masat u janë komunikuar vetëm Izmir Sakicës dhe Samuel Troshanit, të cilët ndodhen në burgun e Reçit, ndërsa Franko Leka dhe Aleksandër Prendi janë shpallur në kërkim.

Sipas SPAK, Sakica, Troshani, Leka dhe persona të tjerë të pa identifikuar ishin nisur drejt fshatit Rranxë të njësisë administrative Bushat në Vaun e Dejës me automjete të blinduara për të vrarë Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij, por janë hasur në pritë nga ky i fundit dhe ka patur përplasje me armë zjarri.

Safet Bajri gjatë fjalës së tij në “Top Story” ka pranuar publikisht se automjetet e blinduara tip “Audi A8” dhe “Mercedes Benz”, të cilat u gjetën të braktisura dhe me të cilat udhëtonin Troshani, Sakica, Leka dhe të tjerët janë të tijat.

Por, Bajri e mohoi që ai të kishte qenë prezent në atë ngjarje, por shtoi se do donte shumë që të ishte, pasi sipas tij, nëse do të ishte ai aty nuk do të kishte ikur askush, por do të njoftonte Policinë.

Ai deklaroi se logjikisht nuk mund të mendosh se të akuzuarit e SPAK ishin nisur për të vrarë Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij, duke qenë se ishin me 3 automjete të blinduara, që sipas tij, i njeh e gjithë Shkodra se kush i ka. Bajri dha edhe versionin e tij se pse mund të ketë ndodhur ngjarja.

Ndërkohë, Bajri konfirmoi edhe deklaratën e SPAK, se “Audi A8” i blinduar kishte targa të huaja, të cilat nuk i përkonin po të njëjtit mjet. Ai tha se doganën ia kishte paguar mjetit në fjalë, por ende nuk ia kishte bërë letrat për shkak të procedurave ligjore për mjetet e blinduara.

“Për ngjarjen e Bushatit, ata persona as nuk i njeh kërkush, as nuk i njoh unë, as nuk i njohin çunat. Nuk kanë patur problem kurrë me ata çuna. Janë tre makina, kanë shkuar në një zonë, ku është hapur zjarr. Si munden me shku tre makina, të cilat janë të njohura se të kujt janë, “Benzi” dhe “Audi” me targa franceze janë makinat e mia, se i kam përdorur unë për çdo ditë. Si mundet, me shku tre makina të blinduara, me përgatit kushte për një vrasje, kur janë tre makina që i njef e gjithë Shkodra se kush i ka.

Personat në fjalë, me të cilët nuk ka pas askush komunikim me ta, as pas ngjarjes, do të kenë problemet e veta. Makinat janë me xhama të zinj. “Audi” është me doganë të preme, pavarësisht se nuk ka qenë e mundur hala me ia ba letrat sepse ka disa procedura ligjore për një makinë të blinduar dhe ka pas një palë targa të mbivendosura që as nuk janë të vjedhura, janë targa të një makine tjetër që nuk e di se çfarë.

Pse kanë qëlluar ata, unë mendoj se ata e dinë arsyen, 100%, nga problemet e tyre personale. Makina “Audi” është prishur, kanë qenë t’u prit karrotrecin dhe karrotreci është shoqëruar në Polici. E kanë qëlluar makinën se ose kanë dyshuar se makina me xhama të zinj, me të panjohur dikush ka shkuar për ta. Diçka që më mire seç e dinë ata, nuk e di njeri. Unë jam i sigurt 1000% se ata persona nuk kanë patur asnjë gjë në drejtim as të atyre çunave dhe as në drejtim temin apo në drejtim të makinave, veç se kanë dyshuar për gjërat e veta se çfarë janë këto makina që kanë ndalur këtu.

Pra ju po e konfirmoni prezencën tuaj në Bushat? Jo jo nuk po e konfirmoj prezencën time. Por po ta them këtu live do të doja shumë të isha. Sepse, të isha unë aty, asnjë makinë nuk do e kisha lejuar të lëvizte prej vendit të ngjarjes. Do kisha thirr Policinë dhe do i kisha thënë hajdeni këtu. Makinat janë blinduara, pse duhet të lëvizësh t’i prej vendit të ngjarjes, kur kalon një motor edhe të qëllon dhe ai motori iku. Thirr Policinë, komisariati i Bushatit është afër dhe të vjen në sekondë. Sepse t’i kur je viktimë dhe lëviz nga vendi i ngjarjes nga frika, le hije dyshimi.” – -deklaroi Safet Bajri.

 

LEXO TE NGJASHME

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.