I ndoqën hap pas hapi, makinën e dogjën në një zonë pa kamera. Zbardhet dinamika e atentatit në “Don Bosko”
Detaje të reja janë zbuluar mbi atentatin e së mërkurës në një lokal në “Don Bosko” ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.
Bëhet me dije se atentatorët kanë ndjekur prej disa ditësh lëvizjet e shënjestrës, kjo për faktin se autorët e kanë pritur me makinë 30 minuta në afërsi të lokalit, të parkuar në një cep pallati. Kjo tregon se ata ishin të mirë informuar se objektivi i tyre do të ulej në lokal.
2 të plagosurit kanë ardhur dhe janë ulur në verandë gjatë kohës që autorët i prisnin në afërsi. Nga kamerat e sigurisë, autorët kanë lëvizur me automjet për t’u siguruar se janë ulur aty dhe kanë saktësuar tavolinën.
Më pas janë rikthyer para lokalit, kanë kthyer makinën sepse rruga te pallati është rrugë qorre, kanë qëlluar dhe janë larguar menjëherë nga kanë ardhur.
Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të grupit hetimor, u zbulua se makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes. Të njëjtin itinerar ndoqi edhe në kthim, derisa e dogjën makinën në Qerekë, sapo kalon Kamzën.
Sa i përket vendi ku u gjet e djegur makina, dyshohet se autorët e kanë zgjedhur, për shkak se asnjë kamera sigurie nuk ndodhet në ambientin përreth.
Targa që ka qenë i pajisur automjeti i autorëve i përket një makine në Valias të Kamzës. Këto targa janë të dubluara dhe nuk ka pasur denoncim për vjedhje.
LEXO TE NGJASHME