Çfarë është hidronefroza apo ndryshe fryrja e veshkave tek fëmijët? - Nga Artan Koni, androlog urolog!
Nga Artan Koni, FEBU, FEAPU, androlog-urolog!
Një nga problemet më të hasura tek fëmijët është Hidrofrenoza.
Hidronefroza (HN) quhet fryrja e veshkës e cila të fëmijët, në shumicën e rasteve, është e lindur. Një pjesë e mirë e tyre mund të kuptohet që me ekot gjatë shtatzanisë. Gjithsesi, ne shumicën dërrmuese të rasteve, nuk ka nevojë për ndonjë ndërhyrje specifike gjatë shtatzanisë. Ekoja e bërë fill pas lindjes, është e rëndësishme për të kuptuar gravitetin e situatës dhe për të parashikuar trajtimin e mëvonshëm.
Në varësi të të qenit femër apo mashkull, HN në një veshkë apo të dyja veshkat, HN që prek vetëm veshkën apo bashkë me të edhe kanalin urinar, prania ose jo e anomalive të tjera të traktit urinar, ndryshon edhe lloji i patologjisë se lindur dhe mënyra si kurohet. Le të flasim për disa nga patologjitë që hasen më shpesh te fë mijët:
1-Refluksi urinar (VUR), kthimi i urinës nga vezika te veshka. Është patologjia e lindur më e shpeshtë të fëmijët me HN. VUR haset më shpesh te femrat dhe rastet më të shpeshta janë bilaterale. Të kesh VUR nuk do të thotë domosdoshmërisht që duhet të kemi infeksione urinare të shpeshta. Një pjesë e mirë e VUR përmirësohet vetvetiu deri në moshën 1 vjeçare. Kështu që për sa kohë fëmija nuk ka infeksione urinare, mund të ndiqet në vazhdimësi pa ndonjë kurim të caktuar. Ajo pjesë e VUR e cila nuk kalon deri në moshën 1 vjeçare, duhet korrigjuar me ndërhyrje kirurgjikale. Operacioni duket i frikshëm në sytë e prindërve, normalisht. Por me teknikat e reja kirurgjikale fëmijët kanë pak dhimbje, qëndrojnë 1 ditë në spital dhe në shumë raste operacioni bëhet pa bisturi, apo e thënë ndryshe, me ndeërhyrje endoskopike. Nëse gjatë shtatzanisë haset HN te fëmija, mund të bëni një konsultë me urologun pediater për të diskutuar mbi alternativat e mëvonshme të kurimit.
2-Patologjia e segmentit (UPJO) është ngushtimi i kanalit urinar në dalje të veshkës. Zakonisht është një patologji e lindur e cila prek njërën veshke, dhe në një pjesë të mirë të rasteve, ngushtimi nuk është serioz. Në varësi të të pasurit infeksion urinar apo jo, të një HN të madhe apo jo, ndryshon edhe trajtimi apo ndjekja e fëmijës. Ashtu si të VUR, një pjesë e mirë e UPJO kalon vetvetiu, apo përmirësohet gjatë vitit të parë të jetës. UPJO e cila nuk kalon vetvetiu duhet korrigjuar në mënyrë kirurgjikale, pasi rrezikon dëmtimin e veshkes në vitet pasardhëse. UPJO mund të diagnostikohet që në shtatzani, dhe të ndiqet më pas me eko ecuria e kësaj patologjie.
3-UVJO, quhet ngushtimi i kanalit urinar në hyrje të vezikës. Zakonisht është një patologji e njëanshme, e cila pengon kalimin lirshëm të urinës nga veshka te vezika urinare. Megjithëse mund të kalojë vetvetiu gjatë vitit të parë të jetës, ky përmirësim ndodh më rrallë krahasuar me VUR apo UPJO. Si çdo ngushtim tjetër në kanalin urinar, edhe UVJO mund të krijoje infeksione rezistente ndaj kurave të ndryshme. Trajtimi definitiv i kësaj patologjie konsiston në heqjen e atij segmenti të ngushtuar të kanalit urinar dhe ri-implantimi, apo lidhja e re e kanalit urinar me vezikën. Nuk duhet harruar se qëllimi kryesor i trajtimit është parandalimi i dëmtimit të funksionit të veshkës, dëmtim i cili nuk ndodh brenda muajsh, por ndodh padiskutim nëse fëmija nuk trajtohet për një kohë të gjatë.
Këto dhe shumë probleme të tjera janë shkaktarët e HN te fëmijët. Duhet pasur parasysh së këto probleme mund të jenë edhe të ndërthurura me njëra-tjetrën, apo një fëmijë mund të ketë disa nga këto probleme njëkohësisht. Konsulta me urologun pediatër është e rëndësishme për të kuptuar drejt patologjitë e fëmijës dhe për të diskutuar mbi mënyrat e ndryshme të trajtimit.
LEXO TE NGJASHME