Shpëtoni njëherë e mirë! Dhjetë erëzat efikase kundër mushkonjave
Stina e verës sapo ka nisur. Më në fund! Tani mund t’i gëzohemi plazhit, shëtitjeve në natyrë, festave me miq, cicërimave të zogjve, nxirjes së bukur të lëkurës dhe akulloreve.
Për fat të keq, edhe stina e verës ka një element që ua prish lezetin të gjitha këtyre aktiviteteve të mësipërme.
Bëhet fjalë për mushkonjat. Këto të fundit, kanë patur këtë kohë një pasqyrim të gjerë mediatik për shkak të shpërthimit të virusit Zika.
Për të gjithë ju që nuk e dini, virusi Zika është përhapur tek njerëzit falë pickimit të mushkonjave tigër, të cilat kanë qenë të infektuara me këtë virus.
Simptomat më të zakonshme të Zikës janë: njollat dhe skuqjet e lëkurës, temperaturë, dhimbje kyçesh, enjtja dhe skuqja e syve. Këto simptoma zakonisht zgjasin disa ditë deri në një javë.
Vdekshmëria nga virusi Zika ka qenë e rrallë, por ky virus mund të shkaktojë probleme me zhvillimin e trurit tek fetusi, në rastet kur një grua shtatzënë pickohet nga një mushkonjë e infektuar.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria renditet mes 18 vendeve ku gjasat e përhapjes së virusit Zika janë të konsiderueshme, falë pranisë së këtyre specieve mushkonjash.
Në tregje ka shumë zgjidhje kundër problemit të mushkonjave por zakonisht këto zgjidhje përmbajnë disa kimikate që mund të kenë efekte anësore në shëndetin tonë.
Ja përse, AgroWeb vendosi të bëjë një kërkim në lidhje me zgjidhjet natyrale kundër pickimit të mushkonjave. Më poshtë do të gjeni një listë prej 10 alternativave aromatike ndaj problemit të mushkonjave, që mund të gjenden lehtësisht në Shqipëri.
1. Ekstrakti i Vaniljes
Përzjejeni atë me çfarëdo lloj kremi pa erë në masën 1 me 10 dhe lyeni të gjitha zonat e zbuluara të trupit tuaj.
2. Vaji esencial i borzilokut, eukaliptit ose farave të karafilit
Shtoni pesë deri në dhjetë pika të vajit esencial në një gotë me ujë dhe lyeni zonat e pambuluara nga rrobat. Me të mund të lyeni edhe një copë pambuk dhe ta vendosni në dritare që të mbani mushkonjat larg.
3. Livando
Mushkonjat nuk e durojnë dot erën e livandos, qoftë ajo e freskët e thatë ose në formë vajore. Për fatin tonë të mirë, livandoja përdoret në trajtimet aromaterapeutike si një kurë natyrale për qetësi dhe kundër ankthit. Livandon mund ta përdorni mbi rroba, në lëkurë, ose thjesht si lule në shtëpi.
4. Farat e karafilit
Merrni pesë gramë fara karafili dhe zjejini me një gotë ujë. Mjaftojnë 10 pika nga ky lëng me pak alkol që ta aplikoni në të gjitha zonat e zbuluara të trupit.
5. Dëllinja
Nëse keni organizuar aktivitet në natyrë hidhni disa degë dëllinje në zjarrin bubulak dhe mushkonjat nuk do t’ju shqetësojnë.
6. Vaj kedri
Vaji i kedrit është jo vetëm një nga përbërësit më popullorë të parfumeve, por edhe mjaft efektiv në largimin e insekteve: mushkonjave, mizave dhe buburrecëve që e urrejnë aromën e tij.
7. Pelini i ëmbël
Vaj i bërë nga lëngu i rrënjëve të pelinit të ëmbël (në 1,5 litra ujë zjehen një grusht nga kjo barishte për rreth një orë e gjysmë) nuk ka vetëm efekt në trajtimin e plagëve, por nëse aplikohet në lëkurë mund të shërbejë si një parandalues i mushkonjave.
8. Kamomili
Një prej bimëve mjekësore më të lashta ka efekt paralizues ndaj qelizave nervore të insekteve. Ndaj ju mund ta thani dhe ta shpërndani nëpër shtëpi.
9. Borziloku i freskët ose gjethet e domates
Mushkonjat nuk e tolerojnë dot erën që lëshojnë këto bimë, ndaj mos nguroni t’i përdorni.
10. Hudhra
Sipas të dhënave shkencore, mushkonjat i qëndrojnë larg atij ose asaj që ha shumë hudhër. Por mbani mend që nëse hani shumë hudhër edhe njerëzit do t’ju qëndrojnë larg, ndaj mos e teproni.
Nëse mushkonja arrin t’ju pickojë ju mund të bëni veprimet e mëposhtme që t’i shpëtoni asaj ndjesisë së tmerrshme për t’u kruar pa fund.
Mund të vendosni pak mjaltë tek zona e pickimit. Megjithatë duhet të keni kujdes dhe këtë ta provoni në shtëpi, sepse mjalti mund të tërheqë insekte të tjerë.
Mund të përdorni Aloe Vera. Por edhe gjethet e freskëta të borzilokut ndihmojnë duke ulur fryerjen. Ju mund të përdorni një pastë të përgatitur nga aspirina dhe uji ose një pastë të thjeshtë dhëmbësh.
LEXO TE NGJASHME