Nga Astrit Veliqi/ Turp! Na zhgënjeu BE, na zhgënjyen edhe deputetët tanë

kocova.parlament.opinion

Qytetarët e Kosovës kanë pritur që pas një zhagitje të madhe, më në fund të marrin një dritë jeshile nga Samiti i BE-së për liberalizimin e vizave, por si duket më shumë se deklarata koti, që jemi mësuar tash e sa kohë t’i përpijmë, nuk pati asgjë konkrete.

Madje edhe vetë prezenca e Presidentes kosovare Vjosa Osmani në samit, e rriti pak entuziazmin e qytetarëve se do të merrej një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Por... jo!  Nuk ndodhi!

Madje edhe kosovarët kësaj radhe u ndien të diskriminuar, se të persekutuar janë tash e sa vite, ku Kosova nga turpi i BE-së, por edhe deri  diku edhe yni, ka mbetur në një ‘geto’ brenda vetë gadishullit evropian.

Por, premtimi se po ndodh e ka ndodhur liberalizimi, tashmë e kemi parë shumë gjatë, madje disa zyrtarë qeveritarë kanë hapur 'shampanjën' duke festuar për liberalizimin e kjo madje dikur ishte bërë edhe ‘meme’.

Por pse ndodhi që qeveritarët festuan ende pa një vendim definitiv? Madje kjo ndodhi vite me parë, ku e gjitha kjo e ka një histori të turpit e që prej atëherë po na përcjell si popull.

Derisa jemi në këtë stad, me plot gojën mund të themi se pengesë e madhe e liberalizimit janë bërë edhe kauzat 'fantome' të klasës tonë politike, duke mos harruar edhe marrëveshjen për Demarkacionin, heqjen e taksës së famshme, Asociacionin... e ndonjë tjetër.

Edhe kjo e ka një histori që besoj e dinë vetë qytetarët, që Kuvendi dikur ishte shndërruar në arenë përplasjesh pozitë-opozitë, ku gazi lotsjellës, ishte bërë i famshëm, duke përdhosur kështu tempullin e demokracisë parlamentare.

E ndërsa jemi duke folur për deputetët, pikërisht  sot pas zhgënjimit nga BE, qytetarët u zhgënjyen për herën e dytë por kësaj radhe, nga vetë deputetët që ata i kanë votuar duke pamundësuar tërheqjen e Trustit.

Kjo është më hipokrite sesa ajo e BE-së, sepse vota popullore që deputetët e kanë marrë pikërisht ka qenë se kosovarët kanë besuar në ndryshim të madh, por sot ata janë zhgënjyer, për të mos thënë janë dëshpëruar tej mase.

Ngaqë qytetarët duke u përballur me krizën e rëndë ekonomike që ka goditur pothuaj çdo vend, ku çmimet e produkteve ushqimore, por edhe të derivatet kanë arritur pikun kanë mbajtur shpresa të paratë e 30%-it nga Trusti.

Së paku këto të holla do të zbutnin në masë të konsiderueshme gjendjen e vështirë në të cilën po kalojnë kosovarët në veçanti.

Ky mosvotim i Trustit ka rënë si bumerang për pjesën më të madhe të qytetarëve, duke ia shuar shpresat e tyre dhe pritjet e mëdha që kanë pasur.

Por historia si thonë nuk mund të rishkruhet, prandaj edhe zgjedhjet do të vijnë shpejt, e qytetarët dinë edhe të hakmerren keq, madje ata që i kanë fikur shpresat e tyre, mund të ndëshkohen keq.

Aq ma keq që hipokrizia e deputetëve ndodhi pikërisht kur pas zhgënjimit nga BE, pasdite qytetarët u dëshpëruan edhe një herë, e kjo dhëmb më shumë se kjo ndodhi nga deputetët e shumicës, një ‘sihariq’ ky që veç në Kosovë bën ‘vaki’.

Sido që të jetë, nëse nuk do të këtë një infuzion tjetër nga Qeveria, për shumë kosovarë e ardhmja do të jetë edhe më e vështirë, duke u vënë në pikëpyetje edhe ekzistenca e tyre.

Kosovarët me 14 shkurt ia dhanë votën e ‘dashurisë’ së madhe Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por pas pritjeve të mëdha për ndryshim, ata edhe njëherë përjetuan zhgënjimin e madh, duke e vulosur në kalendarin e tyre si 'marria e 23 qershorit’, përfshi edhe vazhdimin e turpit nga BE për Vizat.

LEXO TE NGJASHME

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.