Ky është 48-vjeçari nga Vlora që dyshohet se vrau biznesmenin italian në Tepelenë
Policia e Gjirokastrës ka shpallur në kërkim 48-vjeçarin Kamber Sulçe, si autor të dyshuar të vrasjes së biznesmenit italian, Edoardo Sarchi në zonën e Salarisë, në Tepelenë.
Sipas hetimeve, sulmi ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta mes Kamber Sulçes dhe Sarchit, si dhe shoqëruesve të tij.
Sulçe dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska ndaj tyre dhe automjeteve të tyre, ku biznesmeni italian humbi jetën.
Nga vendngjarja u sekuestruan automjetet e viktimës dhe shoqëruesve të tij, si dhe 2 armë gjahu. Gjatë kontrolleve në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, policia gjeti të fshehura automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur autori, ndërsa në një çantë të hedhur në shkurre u sekuestruan dylbi me rreze infra, dylbi termike, një mbajtëse arme dhe një elektrik dore.
Kontrollet e mëtejshme në banesën e 48-vjeçarit dhe të familjarëve të tij në Mesaplik e Vlorë zbuluan rreth 2.5 milionë lekë (në lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak, 450 fara të dyshuara kanabisi dhe 2 kasaforta.
Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës dhe Departamentin e Policisë Kriminale, vijon punën intensive për kapjen e të kërkuarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
LEXO TE NGJASHME



















