Po plakemi – 12 mijë e 200 fëmijë ikën nga Shqipëria vetëm në një vit
Shifrat e frikshme të shtegtimit të shqiptarëve në vendet e BE flasin për largim masiv sidomos të fëmijëve, që marrin leje qendrimi për arsye familjare. Sipas eurostat, vetëm vitin e kaluar, 12 mijë e 200 fëmijë nën moshën 15 vjeç ikën nga vendi ynë dhe gjetën strehë, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani. Po thonë lamtumirë ata që do të ishin studentët dhe profesionistët e ardhshëm. Shqipëria po plaket me ritëm tronditës
Vendi ynë po plaket me ritme të frikshme, pasi pjesa më e re dhe vitale e shoqërisë po kërkon gjithnjë e më shumë mundësi për t’u larguar e gjetur një shans për ndërtimin e jetës dhe të ardhmes në Europë. Mungesa e besimit, keqqeverisja, korrupsioni, cilësia e arsimit, mosrespektimi i meritës, sistemi shëndetësor janë disa nga arsyet që i detyrojnë të rinjtë, profesionistët e ardhshëm, kolonën kryesore të zhvillimit, që të braktisin vendin.
Për të miturit nën 15 vjeç, janë prindërit që mendojnë të sigurojnë ditë më të mira në vijim, në Europë. Mbi 12 mijë të mitur, janë një tregues tronditës për cdo shtet, por sidomos për një vend të vogël si i yni. Ky erosion rrezikon të krijojë një vakum që do të sjellë jo pak pasoja.
Apelet dhe thirrjet për ta trajtuar me vemendje këtë fenomen vijnë nga të gjitha drejtimet. Vetëm qeveria ngjan të jetë më pak e shqetësuar. Madje kryeministri është kritikuar shpesh për qendrime të atilla, si përpjekja për ta cilësuar këtë një normalitet, apo edhe më tej kur ka thënë se shqiptarët janë dembelë, dhe se në vend duhet të vijë krahë pune nga Bangladeshi.
E dyta, pas Ukrainës
Shqipëria renditet e dyta në Europë për dhënien e lejes së qëndrimit për fëmijët nën 15 vjeç, në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Nga 64 mijë leje qëndrimi për herë të parë, për arsye familjare për fëmijët nën 15 vjeç, që kanë dhënë vendet e Bashkimit Europian për shtetet e Europës që nuk janë pjesë e BE-së, 19% e tyre, ose rreth 12.2 mijë ishin për shtetasit shqiptarë. Të dhënat u publikuan nga Eurostat.
Në vend të parë në Europë është Ukraina, me 21% dhe e treta Rusia me 12%. Pas tyre renditet po një shtet shqipfolës, Kosova, me 10%.
Shtetet që kanë shënuar më shumë leje qëndrimi për shqiptarët janë Greqia dhe Italia, ndërsa vitet e fundit janë rritur lejet edhe nga Gjermania.
Në total (për të gjitha grupmoshat), vetëm në vitin 2020, nga vendet e Bashkimit Europian për shqiptarët u dhanë 59.6 mijë leje qëndrimi për herë të parë, numri më i lartë që nga viti 2011, kur Eurostat raporton të dhënat (nuk përfshihet Mbretëria e Bashkuar).
Në total, numri i shtetasve shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në vendet e BE-së që nga viti 2011 arrin në gati 380 mijë.
BE
Sipas Eurostat, në vitin 2019, u lëshuan leje qëndrimi të parë për arsye familjare në BE për 276 200 fëmijë (shtetas jo-BE) të moshës nën 15 vjeç. Kjo shifër përbën një raport prej 504 për 100 000 të fëmijë të popullsisë së BE -së të moshës nën 15 vjeç. Midis atyre fëmijëve, 60% ishin të moshës më pak se pesë.
Shtetet Anëtare që lëshuan numrin më të madh të këtyre lejeve ishin Gjermania (61 500, ose 22% e numrit të përgjithshëm të lejeve të para të qëndrimit të lëshuara në BE për arsye familjare për fëmijët nën moshën 15 vjeç), e ndjekur nga Spanja (55 300, ose 20%), Italia (41 300, ose 15%) dhe Suedia (24 400, ose 9%).
Në terma relativë, raporti për 100 000 fëmijë nën moshën 15 vjeç ishte më shumë se dyfishi i mesatares së BE -së në Suedi (1 339), Luksemburg (1 322) dhe Slloveni (1 257), ndërsa ishte 50% më i lartë në tre të tjerë Shtetet Anëtare: Belgjika (897), Portugalia (863).
Sa i përket vendit të shtetësisë së fëmijëve nën moshën 15 vjeç, të cilëve u është dhënë leja e parë e qëndrimit për arsye familjare në BE, 35% e fëmijëve kishin nënshtetësi të një vendi aziatik, 25% afrikan, 23% evropian (jo-BE), 9 % Amerika Jugore dhe Qendrore dhe 3% Amerika Veriore.
Maroku (12% e numrit të përgjithshëm të lejes së parë të qëndrimit të lëshuar në BE për arsye familjare për fëmijët nën 15 vjeç) ishte vendi kryesor i shtetësisë në vitin 2019, i ndjekur nga Siria (7%) dhe India (6%)./MAPO
LEXO TE NGJASHME