Basha, hyn në zgjedhje pa kushte prej Sali Berishës

000berishaliri

Në javën e dytë të protestës me turne para Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është tërhequr nga një tjetër përbetim, në raport me zgjedhjet e 18 Qershorit. Disa ditë pasi kërcënoi publikisht se nuk do të ketë zgjedhje në 18 Qershor pa krijimin e një qeverie teknike, kryetari i opozitës Lulzim Basha, u ka dhënë dy direktiva bashkëpunëtorëve të tij, që konfirmojnë të kundërtën.

Direktivat konsistojnë në përgatitjen për zgjedhjet parlamentare, pavarësisht fatit të çadrës para Kryeministrisë dhe kërkesës për krijimin e një qeverie teknike. Pas deklaratave fshikulluese nga ndërkombëtarët, mungesës së mbështetjes nga Ilir Meta për qeveri teknike dhe pozicionimit kundër bojkotit të zgjedhjeve të Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe Majlinda Bregut, elemente të cilat përcaktuan deri diku edhe dështimin e protestës, duket se kanë detyruar Lulzim Bashën të ndjekë një strategji të dyfishtë, duke vijuar ngujimin para Kryeministrisë, por në të njëjtën kohë duke nisur përgatitjet për zgjedhjet.

Burime pranë Partisë Demokratike dhe degëve të PD thanë për Shqiptarja.com se, që në fund të javës së kaluar, me porosi të Bashës, ka nisur përpunimi i mbi 30 mijë propozimeve për kandidatët për deputetë. Nuk dihet ende se cilët eksponentë të opozitës janë më të preferuarit nga demokratët për t’i përfaqësuar në parlamentin e ardhshëm, por një grup pune po punon për përpunimin e propozimeve, në bazë të të cilave do hartohet një listë sipas numrit të mbështetësve.

Lëvizja tjetër 
Krahas protestës maratonë para Kryeministrisë, një grup ekspertësh të Partisë Demokratike janë ngarkuar me detyrën e kontrollit të ligjshmërisë së listës së zgjedhësve. Në bashkëpunim me degët e PD dhe bashkitë e drejtuara nga djathta, grupi i ekspertëve do të verifikojë vendbanimin e faktik të zgjedhësve të dyshuar, të cilët mund të jenë zhvendosur në kundërshtim me ligjin. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme, për të kufizuar abuzimet, ka miratuar një vendim, i cili parashikon dënim me gjobë për qytetarët që bëjnë deklarim të rremë të vendbanimit. Në të njëjtën kohë, krahas mobilizimit të bazës për një protestë tjetër të mundshme në Tiranë, krerët e degëve të Partisë Demokratike, kanë nisur fushatën për maksimalizimin e votave në 18 Qershor.

Tërheqja e dytë
Në harkun kohor prej tre ditësh, rishikimi i pozicionit të Partisë Demokratike në raport me zgjedhjet, pavarësisht kushtit për krijimin e një qeverie teknike, shënon kthesën dhe tërheqjen e dytë të Lulzim Bashës. Pasditen e së shtunës, Lulzim Basha tërhoqi dhe moderoi edhe thirrjet luftarake, për të grushtuar dhe tërhequr zvarrë pushtetarët. Thirrjet për dhunë, për të cilat kryetari i opozitës i procedua penalisht nga Policia e Tiranës, u pritën me indiferentizëm nga qytetarët, por jo nga protestuesit brenda çadrës. Që pas thirrjeve të Bashës, brenda çadrës së Partisë Demokratike protestuesit kanë nisur që të grushtojnë njëri-tjetrin.

Tërheqja
Disa ditë pasi kërcënoi publikisht se nuk do të ketë zgjedhje në 18 Qershor pa krijimin e një qeverie teknike, kryetari i opozitës Lulzim Basha, u ka dhënë dy direktiva bashkëpunëtorëve të tij, të cilat konfirmojnë të kundërtën.

Lista
që në fund të javës së kaluar, me porosi të kryetari të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, ka nisur përpunimi i mbi 30 mijë propozimeve për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e qershorit.

Basha, paralajmërimi për zgjedhjet

“Nuk ka dhe nuk ka për të pasur zgjedhje fasadë në këtë vend. Partia Demokratike dhe opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund vendimit qytetar. Zgjedhje për të kaluar radhën, zgjedhje fasadë, zgjedhje me këtë kryeministër, zgjedhje me këtë qeveri, nuk ka për të pasur. Pikë! Këtu flasim dhe shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin, i japim zemër njëri-tjetrit në këtë kauzë të madhe, por kjo nuk është lojë. Nuk është lojë, fati i miliona shqiptarëve. Nuk është lojë, brenga dhe hallet e mijëra kryefamiljarëve. Nuk janë lojë, fatet e fëmijëve tanë. Nuk është lojë të luftosh për të drejtat, të luftosh për demokracinë. Nuk është lojë dhe unë nuk ju thirra për lojë. Kjo është një luftë nga e cila do të kthehemi vetëm me fitore. Ju kam pyetur, ju kam thënë se jam gati të luftoj deri në fund. Ju kam pyetur: A jeni gati të luftojmë së bashku? Kjo është një luftë pa kthim”.

Basha, tërheqja nga lufta

“Nuk është thirrje për luftë, a e dini pse? Nuk është ai formati i thirrjes për luftë. Ka tjetër format dhe tjetër formulë, thirrja për luftë. Po bëra thirrje për luftë z. Edi Rama, treçereku i policisë së shtetit do të vijë të të arrestojë ty. Do të vijë të të marrë ty, sepse tre të katërtat e policisë së shtetit si gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë, kanë hequr në shpinën e tyre padrejtësinë, paligjshmërinë, abuzivizmin dhe arrogancën, hiq këtu ata pak veta që i ke kthyer në rreshterë të drogës. Po të ishte puna për thirrje për luftë e për polici, të jesh i sigurt që tre nga katër oficerë policie, do të ishin tek dera jote duke të të marrë ty të pandehur. Por kemi zgjedhur një rrugë tjetër që na shkon për shtat. Na shkon për shtat qytetarie, na shkon për shtat demokracie, na shkon përshtat si shqiptarë evropianë, të vlerave perëndimore, të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut dhe kjo është rruga e pjesëmarrjes”.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.