Kreu i LSI-së, Ilir Meta në “Zonë e Lirë”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta në një intervistë dhënë për “Zonë e Lirë” shprehet se opozita duhet të vijë në Parlament dhe të dialogojë, duke i dhënë garanci për zgjedhjet, e njëherësh del kundër qeverisë teknike.
Gojët e liga thonë se në darkën e pak ditëve më parë në një moment të caktuar u duk sikur “ia ngec antipastën në fyt” Edi Ramës, pasi i pohove se ke pranuar disa nga kërkesat e opozitës dhe mbi të gjitha nuk je kundër versionit të qeverisë teknike që kërkon opozita. A ka gjë të vërtet në këtë hipotezë që është hedhur?
Nuk mendoj se ka diçka të vërtetë për arsye sepse ka qenë një shkëmbim mendimesh dhe nuk ka qenë një shqyrtim i kërkesave të opozitës apo të diçka e tillë.
U fol për protestën?
Po, natyrisht që po. Të jetësh afër protestës të mos flasësh kur të gjithë flasin për shkak edhe të mediatizimit, apo të një shqetësimi se mos kjo protestë dhe kjo rrugë në të cilën ka hyrë opozita mund të çojë drejtë situatave jo pozitive, natyrisht që ku mund të mos flasësh.
Gojët e liga thonë se së shpejti pritet që të ketë një darkë midis teje dhe Lulzim Bashës. A është e vërtetë?
Tani z. Basha ka qenë gjithmonë i mirëpritur nga unë si Kryetar i Kuvendit, dhe ju e dini që ai ka ardhur dhe unë e kam ftuar përpara konsensusit për reformën në drejtësi, edhe ditën që u arrit konsensusi.
Nuk është më tabu?
Nuk është më tabu, sepse ne jemi takuar tek “Rogner”. Në çdo moment. S’ka se si të them që nuk e takojë kryetarin e opozitës. Jo vetëm me kryetarin e opozitës, por me kryetarin e një partie opozitare që nuk është në parlament. Është një detyrim, është një respekt.
A ka thënë Edi Rama se jeta është e shkurtër , bëhu President dhe rehatohemi në 4 vitet e ardhshme, s’ke pse kalon ditën me mua dhe natën te çadra e Lulit?
Nuk e kemi diskutuar këtë dhe nuk e dinte njeri sa doktori të ishte aq kategorik dhe ta cilësonte si darka e fundit, ajo është marrë vesh ditën tjeter. Rëndësi ka të mos jetë darka e gabuar apo jo?
Kjo do të merret vesh shumë shpejt... A i ke kërkuar Ramës më jep kokën e Sajmirit (Tahirit) dhe e mbyllim me kaq?
Absolutisht
Rama të ka propozuar një alternativë tjetër, të kaloni në qeveri teknike me kryeministër Saimir Tahirin?
(Qesh) Kjo qenka gojë e ligë, tamam e Fahriut (Balliu).
Gojët e ligja thonë se Edi Rama të ka ofruar dyfishin e numrit të deputetëve që të bashkëjetoni në harmoni me njëri tjetrin në 4-vjeçarin që vijnë. Sa qëndron ky skenar?
Ky nuk qëndron as në drejtim të ofrimit, por në radhë të parë nuk qëndron as në drejtimin të ndonjë kërkese apo të ndonjë pretendimi të tillë. Dhe duhet të kemi parasysh që LSI gjithmonë ka marrë votat e sajë edhe kur ka qenë jashtë koalicioneve edhe kur ka qenë brenda koalicioneve sepse shqiptarët me këtë sistem kanë një votë dhe atë votë e japin për partinë kudo ku ajo është.
Thonë që i propozuat Edi Ramës që t’ia plotësoni disa kërkesa opozitës. Një nga gjërat që i ke thënë Ramës në atë darkë në Kryeministri, thonë se i ke thënë “japim dorëheqjen që të dy, dhe pastaj futemi së bashku në zgjedhje ku e kemi të sigurt fitoren”. Sa qëndron ky skenar?
Nuk kemi diskutuar për ndonjë skenar të tillë.
Gojët e liga thonë se Edi Rama me qetësi dhe me dashuri të tha se për aq kohë sa të ketë Ambasadorin amerikan Donald Lu pas vetes, do t’i bindi disa deputetë të opozitës ta votojnë Vetting-un për interesat e kombit. A është e vërtetë?
Nuk është e vërtetë.
Gjithë pjesa që konsumon politikë në këtë vend dhe ata që e përfaqësojnë ku hyjnë edhe gazetarët seriozë, thonë që në fakt je më afër se kurrë postit të Presidentit të Shqipërisë që normalisht, teorikisht, zyrtarisht duhet të jetë në prill, por kur i bie se mund të shtyhet pas zgjedhje?
Këtë gjë e mohoj. Kamë thënë që unë jam kryetar i LSI. Kam marrë një mandat për të drejtuar këtë lëvizje dhe natyrisht nuk mund t’i shmangem kësaj përgjegjësie. Por çështja e Presidentit dhe gjithë kjo klimë që ne kemi hyrë aktualisht ku po krijohen shumë probleme në njësi kohe shumë më të shkurtër duke pasur parasysh kapacitetet tejet konfliktuale të politikës sonë. Mendoj që Shqipëria ka njerëz, ka burra, ka gra, ka politikanë me integritet që mund ta bëjnë atë punë shumë mirë dhe nuk ka fare asnjë lidhje me mua çështja e Presidentit...
Nuk e refuzon që të vihet një tjetër nga LSI?
As nuk e refuzoj, as nuk e kërkoj. Nuk është ky problemi, nëse është nga LSI, PS apo nga ndonjë parti tjetër. Rëndësi ka procesi. Problem mbetet, sepse ti Presidentin e shikon si një manovër të karakterit të pushtetit.
Pra duhet të jetë konsensual? Nuk thashë se duhet të jetë konsensual. Duhet të jetë sa më konsensual të jetë e mundur. Ndoshta të gjithë mund të biem dakord, por të thonë që ne nuk e votuam, por ne kemi respekt për atë, ne e pranojmë si institucion, nuk e bojkotojmë.
Pse nuk po i përgjigjeni z. Rama për fatin e koalicionit? Ju nuk keni firmosur ende...
Kemi punë tjera më të rëndësishme.
Paska gjëra më të rëndësishme se koalicioni?
Po. Koalicioni është një interes i LSI-së dhe i PS-së. Këtu ka disa interesa më të mëdha. Koalicioni funksionon.
Kontrata e koalicionit i mbaron në 1 prill, LSI-ja s’ka vendosur ç’do të bëjë?
Mos u shqetëso! Ne jemi në një koalicion, vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm. Vazhdojmë të përmbushim detyrimet ndaj këtij koalicioni. Jemi në koalicion me PS, për vendimet e ardhshme nuk vendos dot unë. Për fatin tënd të keq ti do të doje të bëje një super-lajm. “Një President konsensual nga të gjithë” mjafton për sot.
Po nëse opozita, e përfaqësuar nga Lulzim Basha, nuk vjen në Parlament?
Nuk mund të parashikoj zhvillimet. Ne shpresojmë që opozita shumë shpejt të kthehet në Parlament, mundësisht që javën e ardhshme.
Të tërhiqet?
Të kthehet në Parlament e të vazhdojë dialogun për çështjet që mendon se mund të zgjidhen.
Pra, opozita të bëjë edhe Parlamentin edhe protestën?
Mendoj që të dyja mund të bëhen.
Z. Basha pretendon që janë ndryshuar...
Le të vijë t’i diskutojmë në Parlament çfarë kanë ndryshuar e çfarë jo. Këto çështje, në kuptimin e mirë të fjalës, nuk diskutohen te çadra. Këto janë çështje konkrete, ligjore, kushtetuese dhe diskutohen në Parlament, me maxhorancën, me partnerët ndërkombëtarë.
Ka mundësi të shtyhen zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit?
Nuk ka sens, nuk ka kuptim dhe nuk shikoj asnjë mundësi se si mund të shtyhen. Ka vetëm një mundësi që të krijojmë një klimë sa më konstruktive që të zhvillohen në normalitet të plotë.
Je dakord që gjithsesi t’i jepet diçka opozitës që ajo të kthehet në Parlament?
Unë mendoj që në të gjitha rastet rruga jonë më e mirë është vazhdimi i axhendës së Parlamentit dhe të vendosjes së një dialogu që adreson disa nga shqetësimet kryesore të opozitës, të cilat krijojnë një klimë sa më garantuese për zgjedhjet e 18 qershorit që të gjithë të jenë të qetë.
Je dakord për një qeveri teknike?
Së pari, unë nuk mendoj se kjo çështja e besimit ka të bëjë me zgjidhje ultimative, të njëanshme që vijnë nga një palë. Se pas katër vitesh vjen një palë tjetër që thotë jo unë nuk hyj në zgjedhje, po nuk u bë kjo apo ajo. E rëndësishme është që opozita të vijë në Parlament dhe njëkohësisht të vijojë edhe dialogu, bashkë me OSBE-ODIHR-in, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur disa nga çështje që janë të mundshme për tu zgjidhur për zgjedhjet e 18 qershorit. Ajo që për mua është e papranueshme për mua është rruga e ultimatumit. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mos sakrifikuar zgjedhjet e 18 qershorit sepse janë shumë rëndësishme. Pa arritur standardet më të larta në këto zgjedhje ne do ta kemi të pamundur hapjen e negociatave.
Rama: Ballkani rrezikohet nga ndikimi rus
Në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph”, kryeminitri Edi Rama flet për rrezikun rus në Ballkan, nga frika e largimit të vëmendjes amerikane nga Ballkani. Sipas tij, Ballkani ndodhet në rrezikun e rënies nën influencën ruse. “Mos na braktisni, mos na lini të biem në duart e rusëve”, bën thirrje udhëheqësi shqiptar, duke pasur frikë nga largimi i vëmendjes amerikane në rajonin e Ballkanit, shkruan “The Telegraph” e Londrës. Në një intervistë dhënë në Tiranë gazetarit të së përditshmes së madhe britanike, Thomas Harding, kryeministri Edi Rama thekson se Ballkani ndodhet në rrezikun e rënies nën influencën ruse, nëse administrata Trump injoron rajonin.
Ai ngre pikëpyetje edhe nëse Bashkimi Evropian po bën mjaftueshëm për të siguruar stabilitetin dhe të bllokojë komplotet e pretenduara të Moskës në rajon, duke iu referuar rastit të Mali të Zi, për të cilin “The Telegraph” e Londrës raportoi një javë më parë. Duke e cilësuar udhëheqës karizmatik, “The Telegraph” citon Ramën të ketë thënë se “pa mbështetjen amerikane, Ballkani nuk do të jetë një vend ku do të ketë paqe dhe bashkëpunim”. “Nëse do të ketë një tërheqje nga SHBA dhe BE, ne mund të kthehemi aty ku e nisëm dhe ju e keni parasysh se ç’do të thotë aty ku e nisëm në Ballkan.
LEXO TE NGJASHME