Kuvendi shtyn me një muaj punimet e reformës zgjedhore, ndryshojnë afatet për rivlerësimin e pasurisë
Komisioni i Reformës Zgjedhore do të ketë edhe një muaj tjetër mandat për të bërë ndryshimet në ligjin zgjedhor, ndryshime që pretendohet të sjellin një standard tjetër të zgjedhjeve të 18 Qershorit. Parlamenti në seancën e djeshme vendosi të aprovojë kërkesën e bërë nga bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, socialistin Taulant Balla që ka kërkuar shtyrjen e tretë të mandatit të komisionit të ngritur që në dhjetor të vitit 2015. Kjo është hera e tretë që zgjatet mandati i Komisionit për Reformën Zgjedhore. Me 76 vota, seanca e djeshme miratoi vendimin që zgjat mandatin e këtij komisioni, i ngritur nga Parlamenti në dhjetor 2015, me qëllim përfshirjen në Kodin Zgjedhor të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, të propozuara në raportet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare 2013 dhe ato vendore 2015.
Puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore deri më tani mund të konsiderohet e dështuar, pasi pavarësisht zgjatjes disa herë të mandatit të komisionit, palët politike vetëm sa distancojnë qëndrimet sa i përket pikave të duhen domosdoshmërisht të ndryshohen. Opozita dhe Partia Demokratike kanë vendosur si kusht identifikimin biometrik, votimin dhe numërimin elektronik. Opozita e sheh implikimin e teknologjisë si e vetmja mënyrë që mund të sigurojë një standard më të lartë të zgjedhjeve krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Demokratët akuzojnë qeverinë se do të deformojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, duke përdorur para të drogës për të blerë votën në 18 Qershor. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka rrëzuar këtë alternativë. Partia më e madhe në qeverisje, duke u mbështetur në një deklaratë të OSBE, thotë se nuk ka kohë për votim dhe numërim elektronik. Ka shumë skepticizëm për punën që mund të bëhet gjatë këtij muaji pasi opozita vijon kërkesën për votim dhe numërim elektronik.
Rivlerësimi i pronave
Parlamenti ka miratuar me 77 vota pro edhe projektvendimin për ta trajtuar me procedurë të përshpejtuar ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. E reja e ligjit është se ka shtyrë afatin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me tatim 2 për qind për qind deri me 31 maj. “Deri më sot, nga dita e parë që ligji hyri në fuqi në 1 shtator 2016, janë 27 mijë aplikime në të gjithë territorin e Shqipërisë, pra janë 27 mijë familje shqiptare që kanë përfituar një tatim të ulur nga 15% në 2%”, u shpreh Ahmetaj, dy ditë më parë. Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme hyri në fuqi në 1 shtator 2016 dhe Parlamenti ka vendosur ta trajtojë me procedurë të përshpejtuar për përmbylljen e të gjithë procesit. Ai parashikon mundësinë për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut, duke paguar vetëm 2% tatim nga 15% që ishte për individët. Baza e tatueshme, në këtë rast llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal, dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Pas procedurës administrative që ndiqet nga punonjësit e Hipotekës, pronari kryen pagesën e tatimit nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në një nga bankat e nivelit të dytë. Ligji do të votohet të enjten e ardhshme.
LEXO TE NGJASHME