“Vettingu”: Dy ditë nga skadimi i afatit, vetëm 12 kandidatë

000be

Thirrja e ambasadave të SHBA-së dhe BE-së në Tiranë ka zgjuar interesin e njerëzve që duan të konkurrojnë për institucionet e vettingut. Gjithsesi, numri i kandidatëve është ende i vogël.

Bashkimi Europian iu ka bërë thirrje dje të gjithë shtetasve shqiptarë që plotësojnë kriteret ligjore dhe që dëshirojnë të kontribuojnë në procesin e vettingut në drejtësi që të aplikojnë pranë Avokatit të Popullit për t’u zgjedhur në institucionet që do ta realizojnë këtë proces.

Nëpërmjet një thirrjeje të publikuar në faqen zyrtare të Delegacionit në Tiranë, BE fton shqiptarët e kualifikuar të aplikojnë për të shërbyer në komisionet e Rivlerësimit, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe komisionerët publikë.

Thirrja e BE-së vjen pas asaj të bërë javën e shkuar edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila gjithashtu iu bëri thirrje shqiptarëve “patriot dhe të kualifikuar” që të bëheshin pjesë e këtij procesi.

Thirrje kjo që duket se i dha një impuls tjetër procesit të aplikimeve duke bërë të mundur që vetëm brenda 4 ditëve numri i aplikantëve të kalonte nga 1 në 12 që ishte deri dje në drekë.

Kështu, burime nga institucioni i Avokatit të Popullit bënë të ditur dje se në mesditë pranë këtij institucioni ishin paraqitur 12 kandidatë që kishin shprehur interes për të konkurruar për institucionet e vettingut.

Gjithsesi ky është ende një numër shumë i vogël kandidatësh po të kemi parasysh që numri i anëtarëve të KPK, KPA dhe komisionerët shkon në 27, çka duket se rrezikon jo pak procesin.

Më konkretisht ligji përcakton se do të zgjidhen 12 përfaqësues në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, 7 në Kolegjin e Apelimit, 2 komisionerë publikë dhe nga 2 zëvendësues për secilin organ.

Situata bëhet edhe më serioze po të kemi parasysh se mbeten edhe vetëm dy ditë të tjera veç të martës, për të aplikuar të gjithë ata persona që mendojnë se plotësojnë kriteret ligjore por edhe që pranojnë që të vënë çdo gjë private të tyren dhe familjarëve, email-et, telefonat, llogaritë bankare në dispozicion të institucioneve që do monitorojnë veprimtarinë e tyre për sa kohë do jenë pjesë e institucioneve që do bëjnë vettingun.

Gjithsesi mbetet që të pritet edhe pak ditë për të parë nëse ky proces do të jetë i suksesshëm apo do të krijojë një problem që vjen natyrisht edhe për shkak të kritereve të forta ligjore dhe kushteve të vështira të punës që ligjvënësi ka përcaktuar në Kushtetutë dhe ligj për institucionet e vettingut.

Por nisur nga ecuria dhe interesi i deritanishëm, suksesi në këtë rast bëhet i vështirë.

Të pyetur nga MAPO, nëse do të ketë një shtyrje të afatit të aplikimeve nëse nuk plotësohet numri minimal i aplikimeve për të vijuar procesin e përzgjedhjes së tyre, përfaqësues të mazhorancës janë shprehur se nuk duan që ta paragjykojnë procesin duke sugjeruar që të pritet skadimi i afatit, duke qenë optimist.

Por edhe nëse ky numër minimal do të plotësohet, procesi do jetë i cunguar pasi nuk do ofrojë shumë mundësi zgjedhjeje, pasi kandidatët do jenë të paktë në numër.

Natyrisht kjo do të vështirësohet edhe më tej pasi jo domosdoshmërish të gjithë kandidatët që do paraqiten për të aplikuar i plotësojnë kriteret që përcakton ligji.

Çka do të thotë që ata do të kalojnë në një sitë të hollësishme verifikimi nga Avokati i Popullit, ONM-ja dhe më pas edhe nga vet deputetët që do bëjnë edhe përzgjedhjen fundore të tyre.

Kriteret

Arsyet që kanë çuar në një situatë të tillë duket se lidhen jo thjesht me interesin e ulët të juristëve shqiptarë, por me kriteret dhe kushtet e forta ligjore.

Neni 6 i ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve përcakton në mënyrë të detajuar kriteret ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët që kërkojnë të bëhen pjesë e KPK-së, KPP-së dhe komisionerë.

Sipas tij, anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhen juristët me përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës.

Gjithashtu kandidati duhet të ketë marrë një vlerësim të lartë për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral të tij dhe nuk duhet të kenë ushtruar funksione politike në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit.

Por kriteri që ka kufizuar shumë kandidatë është pika që përcakton se kandidati nuk duhet të ketë qenë gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë dy viteve të fundit përpara kandidimit dhe kjo për të shmangur rastet e konfliktit të interesit.

Përveç kritereve të forta që përcakton neni 6, listën e kandidatëve e kanë kufizuar më së shumti kushtet e punës në të cilat duhet të punojnë anëtarët e KPK, KPP dhe komisionerët, ku parashikohet reduktimi i ndjeshëm i lirive dhe të drejtave të tyre.

Kjo pasi siç përcakton ligji, që në momentin e aplikimit kandidati duhet të plotësojë një dokument të nënshkruar prej tij, me të cilin aplikuesi pranon kufizimet e posaçme për fshehtësinë në komunikimet elektronike gjatë kohëzgjatjes së mandatit si anëtar i institucioneve të rivlerësimit.

Me anë të kësaj deklarate ata japin autorizimin për kryerjen e kontrollit vjetor të pasurisë së tyre, monitorimin sistematik të llogarive dhe transaksioneve financiare, si dhe kufizimet e posaçme të së drejtës së fshehtësisë së komunikimeve gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në detyrë.

Votimi

Në kërkesën që paraqet, kandidati përcakton vendin vakant, për të cilin është i interesuar të aplikojë. Në rast se kandidati nuk ka përcaktuar asnjë preferencë për vendin vakant, konsiderohet që ai aplikon për të gjitha vendet vakante.

Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Avokati i Popullit, pasi konsultohet me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit monitoron këtë proces, duke pasur akses të plotë në dokumentacionin e të gjithë aplikantëve.

Avokati i Popullit menjëherë ua përcjell Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat e përpiluara dhe të gjitha dosjet individuale të kandidatëve, si dhe publikon listën e plotë të kandidatëve në faqen zyrtare të internetit, të grupuar sipas secilit pozicion.

Ndërkohë që një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët. Jo më vonë se 14 ditë nga paraqitja e dy listave, ky komision, bazuar në vlerësimet e arsyetuara, lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, i dërgon rekomandimet Avokatit të Popullit, i cili ia përcjell ato Kuvendit.

Nga ana e tij Kuvendi, brenda 3 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e një komisioni ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare.

Komisioni ad hoc, pas zhvillimit të një seance dëgjimore me kandidatët, vendos: a) të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale te lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, me të paktën katër vota; b) të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit te lista e kandidatëve për votim, me të paktën pesë vota.

Pas këtij hapi Kuvendi, brenda 10 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes, të cilët përbëhen respektivisht nga: a) 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës; b) 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.